Durrës - Një aksident i ka marrë jetën një fëmije, vajzë nga Sllovakia që ndodhej me familjen për të kaluar disa ditë pushime në Durrës dhe ishin vendosur në Gjrin e Lalëzit.

Një automjet Audi që drejtohej nga një 18 vjeçar Genci Gjura nga Tirana udhëtonte në aksin Maminas - Gjiri i Lalëzit, ka përplasur fëmijën 8 vjeç që po përpiqej të kalonte nga një krah te tjetri në kryqëzimin e resortit turistik Lura, raporton gazetari i Report Tv, Artur Korriku.

Menjëherë është njoftuar ambulanca e cila ka mbërritur në vendngjarje për 7 minuta.  Mësohet se e mitura ka ndërruar jetë në spital.

Policia ndaloi të riun që sapo kishte marrë patentën, dhe dyshohet se ecte tej normave të lejuara, ndërsa testi alkoolit ka rezultuar negativ. 

Gazetari i Report Tv informon se në zonë mungojnë trotuaret për këmbësorët dhe është rrugë makine.

'Rreth orës 20:00, në segmentin rrugor Maminas-Gjiri i Lalësit, një automjet me drejtues shtetasin G. Gj., 18 vjeç, ka përplasur një shtetase minorene S. S., 8 vjeçe, nga Sllovakia. Si pasojë e përplasjes  8 vjeçarja ka humbur jëtën në spital.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.', thuhet në njoftimin e policisë.