Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në kryqëzimin e Gjadrit, ku tre automjete janë përplasur mes tyre.

Si pasojë e përplasjes, 5 persona kanë mbetur të dëmtuar, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Mes të plagosurve është edhe një vajzë e mitur 6-vjeçare.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të përcaktuar dinamikën dhe shkaqet e këtij aksidenti.

“Rreth orës 18:20, në kryqëzimin e Gjadrit, janë përplasur tre automjete me drejtues shtetasit I. B., P. N., dhe me drejtuesen, shtetasen e huaj N. R.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar tre drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjerë që ndodheshin në automjetin e shtetasit I. B. (bashkëshortja dhe vajza e mitur, 6 vjeçe), të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për përcaktimin e shkaqeve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit”, informoi policia.

Si pasojë e aksidentit ka patur bllokim te trafikut për shkak se mjetet ndodhen ende në rrugë ndërsa po kryhen veprimet hetimore.

Aktualisht policia ka devijuar lëvizjen e mjeteve në rrugën dytësore Blinisht-Dajc-Superstradë.