LEZHE - Tre persona mbeten të plagosur mes të cilëve dhe një grua, pas përplasjes së dy automjeteve në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. Aksidenti ndodhi paraditen e së shtunës në kryqëzimin e Gjadrit, ndërsa të plagosurit u dërguan për ndihmë mjekësore në urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës, nga ku mësohet se ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.
Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti, i cili paraprakisht dyshohet të ketë ndodhur nga parakalimi i gabuar i automjetit tip Wolsvagen Polo, duke sjellë dhe përplasjen.
Rrugët që përshkojnë Qarkun e Lezhës vijojnë të jenë problematike sa i përket aksidenteve rrugore, ku edhe në këtë muaj të parë të vitit 2025 janë regjistruar disa të tillë me viktima dhe të plagosur. Ndërsa në harkun kohor të 20 ditëve policia rrugore ka ndëshkuar 2050 drejtues mjetesh, kryesisht për shpejtësi dhe parakalime të gabuara, shkelje të cilat janë burim aksidenti.