Katër persona humbën jetën nga një aksident tragjik mbrëmjen e sotme në Fushë Krujë. Aksidenti ndodhi rreth orës 20:30 në autostradën Fushë Krujë-Laç në afërsi të fshatin Borizanë, ndërsa viktimat janë nga fshati Larushk. Personi që drejtonte makinën ishte Flamur Visha. Nga të dhënat e para mësohet se ata po ktheheshin nga veriu për në Tiranë, ndërsa si pasojë e shpejtësisë së lartë me të cilën po lëviznin, 'Audi' goditi një kamion me targa të Kosovës nga pas.

Përplasja fillimisht rezultoi fatale për tre nga katër personat që po udhëtonin me 'Audi'-n, pasi humbën jetën në vend, ndërsa i katërti u nis me shpejtësi për në spitalin e Traumës për ndihmë të specializuar, por ndërroi jetë rrugës. Kujtojmë që në orarin që u regjistrua aksidenti nuk lejohet jo vetëm lëvizja e njerëzve për shkak të situatës së koronavirusit, por as qarkullimi i makinave të paautorizuara.

Ende nuk dihet nëse makina tip 'Audi' kishte autorizim për të qarkulluar. Vendi ku ndodhi aksidenti është një nga pikat e zeza ku janë shënuar disa aksidente, ndërsa aksi nuk ka ndriçim duke vështirësuar lëvizjen për drejtuesit e makinave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:23
Rëndohet bilanci, shkon në 4 numri i viktimave nga aksidenti në Fushë Krujë

1584563181_FusheKruje.jpg
Rëndohet bilanci nga aksidenti tragjik në Fushë Krujë, pasi rrugës për në spitalin e Traumës ka ndërruar jetë edhe i plagosuri duke e çuar numrin e viktimave në katër. Të katër trupat e viktimave janë në spitalin e Traumës.

Ora 21:00
Tre viktimat e aksidentit nga Fushë Kruja! 'Audi' me shpejtësi i ra kamionit nga Kosova

1584561551_AKSIDNERT.jpg
Report Tv mëson se tre viktimat dhe i plagosuri nga aksidenti i rëndë mbrëmjen e sotme janë nga fshati Larushk i Fushë Krujës. 'Audi' me targë AA 848 ZZ mësohet si pasojë e shpejtësisë së madhe me të cilën po lëvizte ka goditur  nga pas një kamion me targa të Kosovës. Përplasja ka rezultuar fatale për tre nga katër personat që po udhëtonin me 'Audi'-n.

Ora 20:55
Makina plotësisht e shkatërruar! Pamje nga aksidenti i rëndë me tre viktima

Report Tv sjell pamjet nga vendi i ngjarjes ku ndodhi aksidenti tragjik në Fushë Krujë mbrëmjen e sotme. Makina ku po udhëtonin katër persona, nga të cilët tre humbën jetën është shkatërruar plotësisht nga përplasja me një kamion nga Kosova.