Aksidenti i së shtunës në aksin rrugor Lezhë-Milot, ku mbeten të vdekur 2 persona, pas përplasjes së dy automjeteve ka vënë në lëvizje Policinë Rrugore.
Rrugorja ka itensifikuar kontrollet dhe monitorimet në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur teknologjitë bashkëkohore të kontrollit, përfshirë dronet, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Sipas të dhënave si rezultat i këtyre veprimeve, 7 drejtues mjetesh janë arrestuar, ndërsa 2 të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjithashtu janë vendosur 1420 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht, 39 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 48 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 72 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 36 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 35 për përdorimin e xhamave të errësuar, 205 për parakalime të gabuara, 198 për ndalim apo qëndrim të gabuar, 658 për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, 39 për mosdhënie përparësie këmbësorëve dhe 90 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore bën të ditur se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale të qarkut Lezhë, me fokus respektimin e rregullave të qarkullimit dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Gjithashtu drejtuesit e automjeteve u kërkohet që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin parakalimet e gabuara, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe drejtimin nën efektin e alkoolit.
Komente









