TIRANË- Opozita ka akuzuar kryeministrin Rama se nuk u ka shprehur asnjë fjalë ngushëllimi familjarëve të viktimave të dy aksidenteve tragjike që ndodhën dje në Kukës dhe në Sarandë.  
 
“Për turpin e tij, kryesocialisti nuk gjeti sot një minutë kohë t’u shprehë ngushëllime familjarëve të viktimave të aksidenteve të djeshme tragjike”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike shpërndarë medieve. 

Sipas Partisë Demokratike kryeministri Rama “për faqen e tij të zezë e përdori tragjedinë për të sulmuar opozitën e Bashkinë.”

Në reagim ndaj deklaratave të deputetit socialist Blendi Klosi që akuzoi kreun e PD-së Basha se ka braktisur kryeqytetin për t’ju përkushtuar punëve të partisë, në deklaratë thuhet se me akuza qeveria nuk fsheh përgjegjësinë për krizën ekonomike dhe rënien e sigurisë në vend.
 
“Ish-kryebashkiakut i kujtojmë se qytetarët e Tiranës nuk harrojnë as të djeshmen e betonit klientelist dhe as të sotmen e bllokimit të buxhetit të banesave sociale.
Nuk e fsheh dot përgjegjësinë për krizën ekonomike dhe të sigurisë ku e ka futur vendin me pusulla antiopozitare dhe luftën politike që i ka shpallur Bashkisë së Tiranës dhe opozitës”, thuhen në deklaratë. 

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)