Kryebashkiaku Erion Veliaj ka prezantuar planin e përgjithshëm vendor para banorëve të njësisë 5 dhe 7. Ai u shpreh se Tirana nuk ka nevojë për sa më shumë rrugë për makinat, por për më shumë hapësira për biçikletat dhe këmbësorët. Veliaj mori shembull aksidentin e dy ditëve më parë, ku një grua u shtyp me makinë teksa kalonte rrugën. Dhe për këtë kryebashkiaku tha se në dy unazat e kryeqytetit përparësi nuk do të kenë makinat.

''Mjafton tu kujtoj vetëm aksidentin e para dy ditëve për të dëshmuar që jo vetëm kemi rënë në dashuri më makinën po edhe po e përdorim keq. Këtu nuk është puna vetëm të bëjmë më shumë rrugë, por duhet të ndryshojmë pak edhe mentalitetin. Vend i varfër me naftën me çmim të lartë dhe gjysma e rinisë bën xhiro dhe xhiron gomat. Kjo është punë kulture. Propozimi ynë është që unaza e dytë dhe e katërt të jenë të fokusuara kryesisht tek transporti publik, tek korsitë e biçikletave, korsitë e pedonaleve dhe pistat e vrapimit'', u shpreh Veliaj.

Duke qenë se Tirana është një qytet i madh, Veliaj u bëri apel qytetarëve që të shmangin përdorimin e shpeshtë të makinës. Në lidhje me planin vendor, kryebashkiaku theksoi se do ti shërbejë çdo lagjeje në Tiranë.
 
Redaksia Online 
Al.N/Shqiptarja.com