Korçë- Detaje të reja nga aksidenti i rëndë i mbrëmjes së djeshme (1 Janar), në fshatin Zëmblak, rruga Korçë-Bilisht.
Nga hetimet paraprake mësohet se te dyja mjetet kanë qenë me shpejtësi tej normave të lejuara.
Sipas të dhënave, dyshohet se drejtuesi i mjetit tip “Peugeot” ka bërë manovër të gabuar. Sipas deklarimit të tij në polici, i ka dalë një kafshë para dhe ka devijuar mjetin për të mos e goditur.
Kjo manovër ka rezultuar fatale, pasi është përplasur kokë më kokë në korsinë tjetër me mjetin tip “Benz”.
Goditja ka qenë shumë e fortë, gjë që ka sjellë edhe vdekjen e menjëhershme të 24-vjeçares shqiptare, Zoi Ksila, pasagjere në mjetin “Peugeot”.
Gazetari i Report TV, Armand Braho, informon se dy të rinjtë jetonin në Selanik dhe mësohet se kishin ardhur në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit.
Trupi i viktimës do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, pasi do të jenë ata që do të bëjnë këqyrjen, për arsye se është shtetase e huaj.
Hetimet ende vijojnë nga ana e policisë vendore, për zbardhjen e plotë të rrethanave.