TIRANË- Një 27-vjeçar, Amarildo Pajtoni, ka ndërruar jetë tragjikisht pas një aksidenti rrugor me motor. Aksidenti ka ndodhur rreth dy javë më parë dhe 27-vjeçari është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës, ku edhe ndërroi jetë pasi nuk u mbijetoi plagëve.

I riu që humbi jetën është djali i sipërmarrësit Mentor Pajtoni dhe nipi i biznesmenit tjetër të suksesshëm Armando Pajtoni. 27 vjeçari, i angazhuar në biznes si administrator i kompanive të familjes, por dhe drejtues i bizneseve të vogla që kishte inicuar vetë, ndërroi jetë dje, më 15 Korrik.

Lajmi konfirmohet dhe nga i vëllai, Redi Pajtoni, i cili ka bërë një dedikim për ikjen e tij.

"Ah zemra e vëllait pse më le vetëm", shkruan ai. 

Familja Pajtoni është ndër më të njohurat në Tiranë dhe Shqipëri, për shkak të angazhimit të hershëm në biznesit e mermerit dhe aktivitetin tregtar të qendrës tregtare "Pajtoni", që ndodhet në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës. I riu ishte i apasionuar pas sporteve dhe në rrjetet e tij sociale shihet të ketë postuar me jet ski të ndryshëm. Ai postonte shpesh video me një këlysh luani.

Aksidenti ka nodhur më datë 26.06.2024, në autostradën “Kavajë-Rrogozhinë”, ku 27 vjeçari ka goditur nga mbrapa automjetin me drejtues shtetasin kosovar J. S., 38 vjeç. Policia ka nisur hetimet për 38-vjeçarin për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.