JANINE - Një aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën Janinë-Kakavijë në kilometrin e 54, në orën 01:00 të mëngjesit, kur një familje shqiptare prej 4 anëtarësh ishte duke ardhur për të festuar Krishtlindjet.
 
Siç raporton media greke, në këtë aksident ka mbetur i vdekur një shqiptar, shoferi 41-vjeçart i makinës, si dhe e lënduar rëndë ka mbetur nëna e viktimës, një grua 66-vjeçare. Ata ishin duke udhëtuar me një makinë “Suzuki XI”, kur makina ka dalë jashtë rruge.
 
Të plagosur më lehtë kanë mbetur, bashkëshortja e viktimës, 40 vjeçe dhe fëmija i tyre, 5 vjeçar. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë për në spitalin e Janinës ku, gruaja 40-vjeçare bashkë me fëmijën 5-vjeçar janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa në gjendje të rëndë është e moshuara.
 
Sipas policisë, për shkaqe ende të panjohura makina ka dalë jashtë rruge duke u përplasur me një shkëmb në anë të rrugës dhe më pas ka rënë nga ura në një lartësi prej 4 metrash.
 
Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Janinës, ndërsa hetimet paraprake për shkaqet dhe rrethanat e aksidentit janë duke u kryer nga Departamenti i Policisë së Janinës.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)