Aksidenti, PD: U favorizua pika e
karburantit të ish-deputetit të PS

Partia Demokratike e ka konsideruar krim shtetëror vdekjen e dy fëmijëve në aksidentin e Kavajës, ku ka shtuar se fondet për sigurinë e rrugës i mori një kompani karburanti.

Ka qenë Grid Duma, Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun, e cila ka qenë sot në vendin ku ndodhi aksidenti dhe ku tha se, aksidenti ka ndodhur për shkaqe klienteliste të pushtetit.

Duma ka shtuar se në këtë ngjarje është përfshirë një ish-deputet i Partisë Socialiste ndërkohë që shtoi se Prokuroria duhet të vijojë me hetimet.

Ja deklarata e plotë e saj 
Këtu humbën jetën dy fëmijë. Në këtë rrugë humbëm dy jetë njerëzish, për shkak të mbrojtëseve të rrugës, të cilat mungonin. Mendoni se kjo ndodhi vetëm për shkak të mungesës së mbrojtëseve?!
 Absolutisht jo. Ndodhi për shkak të interesave klienteliste të pushtetit. Ndërsa qindra qytetarë përfundojnë burgjeve për një suva, për një çati, për një mur shtëpie në pronë të vetën, ky shtet, kjo qeveri, ajo ministri, ai autoritet rrugor, prej dy vitesh nuk zbatojnë një vendim gjykate për të vendosur mbrojtëset e rrugëve. 
 Përse nuk e zbatojnë?! 
Sepse kështu i intereson një pronari të një pike karburanti, një Pilo Kerri, i cili si ish-deputet i PS, si baba i një drejtori të rëndësishëm në Ministrinë e Transporteve dhe sot e dikur ish-shef i kabinetit të Haxhinastos, përdredh ligjin për t’u shërbyer interesave të veta. 
Në fakt prokuroria e hapi çështjen në themel duke dërguar përballë drejtësisë dy drejtorë të Autoritetit Rrugor. Por skandali është shumë më i thellë se sa kaq. 
Ironia më e madhe është se pikërisht firmës të cilës i intereson që mbrojtëset e rrugës të mos ekzistojnë është e njëjta firmë që përfiton fonde publike për mirëmbajtjen e këtij aksi rruge dhe këtij segmenti rrugor. Vlera e përfitimit: Qindra miliona lekë. 
 Emri i gjithë kësaj është i thjeshtë – krim shtetëror. Partia Demokratike inkurajon vazhdimin e punës së prokurorisë dhe institucioneve të drejtësisë. Por natyrisht ne kërkojmë që kjo çështje të shkojë në Tiranë, atje ku i ka rrënjët kjo aferë. 
 Vajzat, fëmijët që humbën jetën, ishin nisur me nënën e tyre për të takuar të atin që ky pushtet e plasi në burg për një çati që po ndërtonte pa leje. Nga ana tjetër krimi shtetëror shkon dhe  ulet këmbëkryq mbi vendimet e gjykatës. Është ky krim që na shkel dinjitetin. Është ky krim që na merr jetë.
 
 
 
 
 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit