TIRANE- Mbetet e pandryshuar gjëndja shëndetësore e dy studenteve të cilat u aksidentuan rëndë të hënën e kaluar në Qafën e Vishës. Dy studente ndodhen për mjekim në dy spitale në Austri dhe mjeku i Spitalit ushtarak Luan Nikollari informoi sot paradite se gjëndja e tyre është e stabilizuar dhe nuk kanë përkeqësime.

Eriselda Guberi dhe Florie Peçi ndodhen në gjendje kome dhe mjekët austriakë ende nuk kanë vendosur të shkëpusin frymëmarrjen artificiale, ashtu siç ishte parashikuar ditën e djeshme.

“Eriselda Guberi, e shtruar në spitalin e Linzit vazhdon të jetë e stabilizuar por nuk është shkëputuar frymëmarrja artificiale. Një mjek shqiptar nga Kosova po ndjek gjendjen shëndetësore të saj. Për Florie Peçin, e shtruar në spitalin e Felabukut në Austri po shqyrtohet mundësia e shkëputjes nga frymëmarrja artificiale sot pasdite.”- Informoi mjeku Nikollari në një prononcim për NEWS24.

Ndërkohë që gjëndja shëndetësore për studentet e tjera në Spitalin Ushtarak është drejt përmirësimit. Eriselda Guberi dhe Florie Peçi ndodheshin në autobusin e aksidentuar të hënën pasdite në Qafën e Vishës. Nga rënia e autobusit në greminë rreth 80 metra poshtë, mbetën të vdekur 13 persona, mes tyre 11 studente të universitetit Aleksandër Xhuvani, shoferi Pëllumb Çela dhe i fejuari i një prej të aksidentuarave. Vajzat kishin ikur në një ekspeditë mësimore.
(sg/shqiptarja.com)