Durres- Policia e Durrësit ka prangosur 18-vjeçarin Genci Gjura, i cili duke drejtuar makinen përplasi për vdekjen vogëlushen sllovake në rrugën e Gjirit të Lalzit.

Aksidenti fatal u shënua në segmentin rrugor Maminas-Gjiri i Lalëzit,  mbremjen e se dieles, 7 korrik  teksa paraprakisht dyshohet se shkaqet janë dy; Ndërprerja e rrugës nga 8-vjeçarja dhe shpejtësia mbi normën e drejtuesit të mjetit.

Familja sllovake ka qenë bashkë në makinë. Ata kanë ndaluar dhe vajzën e kanë dërguar në marketin në anën tjetër të rrugës për të blerë dicka dhe e kanë pritur. Vajza ka vrapuar, shoferi ka tentuar të manovrojë por e ka drejtuar makinën nga krahu ku ndodhej e mitura dhe ka ndodhur përplasja. Shoferi ka qenë me një shpejtësi më të madhe se e parashikuar të lëvizej në atë rrugë, raporton gazetari i Report Tv, Artur Korriku.  

Vajza e mitur e cila ndodhej me familjen me pushime në Shqipëri, po kalonte nga një krah i rrugës në tjerin për të arritur prindërit në kryqëzimin e resortit turistik Lura kur ndodhi përplasja fatale.

8-vjeçarja u dërgua në spital në Tiranë por nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra. Ndaj 18-vjeçarit që sapo kishte marrë patentën i janë vënë prangat në flagrancë dhe ndaj tij është ngritur akuza ‘Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”. Nga analizat rezulton se nuk kishte konsumuar alkool dhe as drogë 

"Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin G. Gj., 18 vjeç, banues në Tiranë, pasi mbrëmjen e djeshme, në  segmentin rrugor “Maminas - Gjiri i Lalzit”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasen S. S., 8 vjeçe, banuese në Sllovaki, e cila humbi jetën në spital" informoi sot policia e Durrësit.