TIRANE- Violeta Metani ishte nisur mëngjesin e së enjtes nga Rrogozhina në drejtim të Durrësit, sëbashku me djalin e saj katër muajsh Sajmirin drejt burgut të Durrësit, atë ditë kishte seancën e takimit me bashkëshortin e saj Sulejman Metanin. Dje rreth orës 11:00 Violeta dhe djali i saj i vogël u përcollën për në banesën e fundit. Një kombinim fatkeq i rrethanave bëri që një mijë e një problemet e gruas 28 vjeçare nënë e katër fëmijëve, të shndërroheshin në kujë. Ndërsa ishte duke kaluar rrugën me djalin e vogël në dorë, Violeta Metani u përplas nga një automjet që po ecte me shpejtësi në zonën e Plepave. Gruaja e re dhe foshnja humbën jetën në vend. Duket si një histori mesjetare jeta dhe rrethanat në të cilat ka jetuar gruaja fatkeqe.

E martuar 10 vite më pare, Violeta Metani jetonte në zonën pranë Urës së Shkumbinit në Rrogozhinë. Shtëpia e çiftit e paraqet skamjen e thatë dhe varfërinë ekstreme porsa shkel oborrin. E gjithë zona përreth banohet nga njerëz të varfër, por skamja në shtëpinë një katëshe të familjes Metani është edhe më e theksuar. Në një lagje të varfër të Rrogozhinës, ata përshkruheshin nga fqinjët e tyre si një familje tejet e skamur, ishin më të varfërit ndër të varfërit. Shtëpia e çiftit ka vetëm një suvatim të lehtë dhe dy dhoma. Porsa kalon pragun hyn tek dhoma e fëmijëve, ndërsa përballë shfaqet krevati i vogël i Sajmir Metanit, foshnja katër vjeç që humbi jetën sëbashku me të ëmën. E ëma e Violetës na shoqëron brenda shtëpisë ndërsa pas kontaktit të parë me të afërmit nis e del në pah një histori vuajtjesh dhe skamje që kanë paraprirë për muaj me radhë tragjedinë. "Këtu në këtë shtëpi jetonte, gjashtë vetë në këtë shtëpi që ju e shikoni vetë. Katër fëmijët flinin në një dhomë. Më të varfër e më të pamundur nuk ka. Sulejmani punon murator, pasi ai ra në burg Violeta duhej të ushqente fëmijët, ka dalë vetë dhe mblidhte hekur, gozhdë, çfarëdolloj gjëje që gjente për ta shitur dhe për të blerë bukën", - thotë Zyhra Metani, e ëma e saj.

BURGU

Në nëntor të vitit të kaluar bashkëshorti i Violetës, Sulejman Metani, u arrestua nga policia për plagosje të rëndë. Personi i plagosur ishte vëllai i tij, Albert Metani. Në lidhje me këtë histori në Rrogozhinë mëson disa versione. Disa të thonë se të dy vëllezërit ishin të pirë dhe janë grushtuar me njëri tjetrin. Vetë Albert Metani, vëllai i plagosur muaj më parë thotë se I pirë ishte vetëm ai dhe i vëllai si më i madh që ishte e kishte rrahur që të futej brenda në shtëpi dhe të mos shkaktonte probleme rrugëve. i Ati i vëllezërve nuk preferon fare të flaës në lidhje me këtë episod. Por e sigurt është që pas burgosjes së Sulejmanit në muajin Nëntor, bashkëshortja e tij Violeta përpos peripecive për sigurimin e bukës së fëmijëve, i duhej të ndiqte dhe gjyqet dhe t'u trokiste në derë, policëve, prokurorëve dhe gjykatësve, me deklaratën e firmosur të kunatit të saj, i cili pranonte se nuk kishte probleme me të vëllanë dhe se gjithë sherri ishte një episod i ndodhur për fajin e tij. Por askush nuk pati kohë të dëgjonte shpjegimet e nënës së katër fëmijëve, bashkëshorti i saj Sulejman Metani, u dënua me tre vite e gjysmë burgim për plagosje të rëndë me dashje. Ai prej nëntë muajsh vuan dënimin në burgun e Durrësit.

VIZITAT
Nëna e Violetës, ka një version të sajin në lidhje me ecejaket e së bijës në prokurori dhe gjykatë. Sipas saj gjithçka ishte e qartë dhe dy vëllezërit e kishin falur njëri tjetrin por dënimi erdhi sepse familja nuk kaloi dot "kriteret e veçanta" të prokurorëve dhe gjykatësve. "Violeta e ka ndjekur pas në gjyqe. Violeta e ka ndjekur pas në hetuesi. Vendosën ta dënonin sepse nuk kishin lekë që të paguanin ata që e kishin në dorë këtë punë. Asnjë arsye tjetër nuk ka patur. Ajo ua thonte gjithmonë që Sulejmani ishte shtylla e shtëpisë dhe se kishin katër fëmijë për të ushqyer por askush nuk dëgjoi, u bëri të njohur dhe deklaratën e kunatit i cili pranonte ta falte dhe shpjegonte se ishte ai shkaktari por nuk donin të dëgjonin", shprehet Zyraja e ëma e Violetës.Pikërisht në këtë kohë Violeta nisi të punonte për të mbledhur hekurishte dhe skrap e më pas për t'i shitur. Të enjten në mëngjes Violeta Metani u nis për në Durrës të takonte bashkëshortin. Familjarët thonë se u nis me lekë borxh për rrugën pasi shpenzimet për ushqimin të katër fëmijëve dhe ushqimin që I kishte pregatitur të shoqit nuk I lejonin të kursente për rrugën. "Do të kthehem dhe do punoj prapë për ti kthyer lekët borxh të rrugës. Po kërkoj dhe një punë më të mirë, por edhe po nuk gjeta lekët do t'i kthej se do shes hekur", - ishin fjalët e saj përpara se të nisej drejt durrësit mëngjesin e së enjtes.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)