Një aksion pastrimi është zhvilluar në Kalanë e Rodonit, një nga pikat më të veçanta të bregdetit shqiptar, në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik veror.
Përmes fotove nga aksionet e pastrimit në disa bashki e qarqe, Ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, ka ndarë edhe mesazhin e tij publik, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë dhe mjedisit.
“Respekto trashëgiminë. Ruaj mjedisin, natyrën”, shprehet ai, ndërsa bën edhe një thirrje të drejtpërdrejtë për qytetarët:
"Në prag të sezonit turistik veror, kujdesi për këto hapësira merr një rëndësi të veçantë dhe mbetet një përgjegjësi e përbashkët, jo vetëm e çdo niveli e organi qeverisës, e gjithë institucioneve, por e secilit prej nesh, si shoqëri, si organizata e si individë, që kjo pasuri të ruhet, të respektohet dhe të trashëgohet. Bëhu pjesë e kujdesit: Mos lër mbetje pas teje. Respekto monumentet dhe natyrën. Mbaje pastër çdo hapësirë që viziton" shkruan Gonxhja.
Ministri thekson se strukturat e ministrisë janë të angazhuara në terren në bashkëpunim me bashkitë, shkollat, prefekturat, ushtrinë dhe organizatat e shoqërisë civile, për të garantuar mirëmbajtjen e zonave turistike.
“Le të kujdesemi sot, që ta jetojmë bukur e ta trashëgojmë nesër”, përfundon Gonxhja.
Komente











