Pas ndërhyrjes në bregdetin e Shëngjinit, aksioni për lirimin e hapësirave publike ka vijuar edhe në plazhin e Tales, në Lezhë.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje në tre subjekte private, të cilat ushtronin aktivitet pa lejet përkatëse dhe kishin zaptuar në mënyrë të paligjshme hapësirat publike të plazhit.
Dhjetëra çadra dhe shezlongë të vendosura u sekuestruan, ndërsa ndaj subjekteve shkelëse u vendosën edhe dy masa administrative.
Kryeinspektori i Policisë Bashkiake ne Lezhë, Leonard Palaj, tha se monitorimi do të jete i vazhdueshem gjatë gjithë sezonit turistik dhe nuk do të ketë tolerim ndaj asnjë subjekti që cenon hapësirat publike apo ushtron aktivitet në kundërshtim me ligjin.
“Gjatë monitorimit të bregdetit të Tales, kemi konstatuar disa shkelje nga disa subjekte që s’kanë kontratë as me Lezha Invest dhe nuk janë të pajisur me asnjë dokument për shfrytëzimin e hapësirës publike. Nga ana jonë po merren masat e gjobave dhe sekuestrimi i çadrave e shezlogëve. Ky aksion do të jetë çdo ditë, deri në lirimin e të gjitha hapësirave që janë dedikuar për qytetarët dhe pushuesit”, tha mes të tjerash Leonard Palaj, kryeinspektor i Policisë Bashkiake Lezhë.
Bashkia Lezhë gjithashtu bën me dije se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit në të gjithë vijën bregdetare, nga Rana e Hedhun deri në Kune, me synimin për të garantuar akses të lirë dhe të barabartë për pushuesit në plazhet publike, si dhe për të siguruar respektimin e rregullave nga subjektet që ushtrojnë aktivitet gjatë sezonit veror.
Komente





