Policia rrugore po vijon punën për parandalimin e aksidenteve rrugore si edhe evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve sipas Kodit Rrugor.

Gjatë 24 orëve të fundit, kontrollet janë përqendruar në vendosjen e rripit të sigurimit, në respektimin e semaforit, në vendosjen e kaskës mbrojtëse, respektimin e sinjalistikës për shpejtësinë dhe drejtimin e lëvizjes, në kontrollin teknik, xhamat e errësuar, në përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, apo në drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit dhe në gjendje të dehur.
Kontrollet e policisë janë përqëndruar në afërsi të semaforëve, ku policët janë të pajisur me kamera, të cilët kanë bërë kapjen dhe procedimin e shkelësve.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 17 raste të shkeljes së semaforëve.

Gjatë procedurave të plotësimit të masës administrative, një drejtues mjeti ka tentuar të korruptojë punonjësin e policisë duke i ofruar 2000 lekë për t'iu shmangur masës administrative, por u arrestua në flagrancë dhe konkretisht:
Lavdrim Çera, 34 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Kamëz, për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i kodit Penal, pasi në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Ysberishtit”, në rrugën “Sabaudin Gabrani” është konstatuar nga punonjësi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, sepse duke drejtuar automjetin ka kaluar semaforin me dritë të kuqe. Pasi punonjësi i policisë i ka dhënë shenjë të ndalonte, i ka komunikuar shkeljen administative dhe i ka kërkuar dokumentacionin e mjetit, shtetasi Lavdrim Çera i ka ofruar bashkë me dokumentat një kartmonedhë të prerjes 2 000 (dy mijë) lekë.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative dhe dërguar në OASH:
51 drejtues mjetesh për mos vendosjen të rripit të sigurimit
39 drejtues mjetesh për xhama të errësuar 
18 drejtues për tejkalim shpejtësie tej normave të lejuara
17 drejtues për shkelje të semaforit
13 drejtues për mungesë dokumentacioni (kontroll teknik)
3 drejtues për gara shpejtësie

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative:
54 drejtues mjetesh për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit
16 drejtues për mos vendosje të kaskës mbrojtëse

Vlen të theksohet se gjatë 24 orëve të fundit nuk është evidentuar asnjë drejtues mjeti që të drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Policia rrugore e Tiranë në përmbushje të objektivit të vetëm,  atë të rritjes së sigurisë rrugore, do të vijojë me kontrolle të pandërprera për të parandaluar aksidentet rrugore apo shkeljen e rregullave të qarkullimit.

Redaksia Online
A.D/shqiptarja.com