TIRANE- Transaksioni që ka përfunduar me humbjen e pronësisë së Rezart Taçit mbi kompaninë e përbashkët ARMO shtron një numër pikëpyetjesh. Këto janë sa të karakterit financiar, që kanë të bëjnë me rezultatin e dhënies së ARMO-s një menaxheri si Taçi, ashtu sikurse krijojnë terren për një hipotezë të re korrupsioni.

VLERA
Më 2008-ën, 85 për qind e aksioneve të kompanisë së rafinimit të naftës iu shit konsorciumit që përbëhej nga Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises SA and Mercuria Energy Group. Oferta të tjera u paraqitën nga subjektet Petrofac, Penta Investments dhe Vitol. Kompania e parë në konsorcium sot e kësaj dite është dhe do të mbetet aksionere me 20 për qind e ARMA, kompanisë që zotëron 85% të aksioneve private, ndërkohë që 15% i mban shteti. Sipas llogaritjeve, vetë Taçi ka paguar për privatizimin 80% të 128.7 milionëve, fiks 103 milionë euro. 

Me shitjen e kësaj pakete aksionare vetëm 35 milionë euro, vlera e aksionit duket se ka rënë shumë. Themi 35 milionë dhe jo 50 milionë, sa përmendet në kontratën e shitblerjes nga Heaney Assets Corporation, pasi 15 milionë do të jepen për pjesëmarrje në kompanitë e tjera private të Taçit. Nga 103 milionë, në 35 milionë, vlera e paketës aksionare është ulur gati tri herë. Kjo, në rradhë të parë, tregon një dështim jo vetëm për Taçin, që mori përsipër mirëfunksionimin dhe modernizimin teknologjik të ARMO-s, por edhe të qeverisë berisha, që ja besoi një detyrë të tillë atij, pa u siguruar mirë në se ishte apo jo i zoti të përmbushte premtimet e bujshme.

Kështu, kompania ARMO aktualisht ka një vlerë tregu 68 milionë euro më pak se sa kishte në vitin 2008, kur u privatizua, ndonëse sipas ekspertëve dhe opozitës atëhere çmimi u konsiderua qesharak, nisur nga ekskluziviteti i këtij subjekti në ekonominë e vendit dhe perspektivat e nxjerrjes së naftës bruto.

BORXHET
Në këtë mes, luajnë një rol të rëndësishëm borxhet që ka krijuar Rezart Taçi me shpenzimet e tij joproduktive për sponsorizime pompoze. Sipas disa të dhënave jozyrtare, llogaritet në 70 milionë euro detyrimi i tij vetëm për arkën e shtetit. Kjo solli edhe vendimin për bllokimin e ARMO-s nga Task Force e ministrit Bode, që praktikisht e çoi Taçin në një shteg me një rrugëdalje të vetme: largimin nga ARMO.
Sipas zv.ministrit Bozdo, kompanië blerëse ka marrë përsipër të shlyerjë gjithë borxhet, por një gjë e tillë nuk është vënë re në kontratën e nënshkruar midis palëve.

MANOVRIMI
Por, i gjithë ky operacion të bën të mendosh edhe se pas gjithë këtij zhvlerësimi mund të fshihet dora e pushtetarëve që po lenë karriget. Ndërkohë që Taçi e bleu me 103 milionë, ata po e marrin ARMO-n, nën maskën e kompanive off-shore, për një shifër tri herë më të ulët. Taç ka dalë me një humbje të jashtëzakonshme, por ata dalin fituar. Në rast se qeveria e re nuk do të hedhë dritë mbi të gjitha hijet e një transaksioni që ka përfshirë gjithë botën, nga Azerbajxhani, në Shtetet e Bashkuara, në Ishujt Virgjin Britanikë, për të përfunduar në Ballsh. 

 (Foto: Rezart Taçi dhe Silvio Berlusconi)
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11 gusht 2013