DURRES - Task Forca ka bllokuar në orët e para të ditës së djelë në Qarkun e Durrësit rreth 35 thertore dhe subjekte që tregtojnë mish në mënyrë të paligjshme, në anë të rrugëve nacionale. Operacioni i bllokimit është drejtuar nga prefekti i Qarkut Genc Alizoti dhe Drejtori i AKU-t ne këtë Qark, Gëzim Ylli.

Aksioni ka nisur me njëherë i grupuar në dy drejtime paralelisht duke kërkuar që fillimisht të vihen nën kontroll zonat më problematike, si në akset Fushë Krujë-Nikël dhe F-Krujë Thumanë, dhe më aksin tjetër Maminas - Manës-Gjiri i Lalzit.

Grupi i taks forcës, të mbështetur dhe nga policia e rendit, kanë mbyllur përfundimisht subjektet që e zhvillojnë aktivitetin e tyre të therjes dhe të tregtimit të mishit anash rrugëve urale e nacionale por edhe në kushte jo të përshtatshme higjieno-sanitare.

Prefekti i Qarkut të Durrësit, Genci Alizoti, i cili ka drejtuar dhe aksionin, ka deklaruar tolerancë zero ndaj të gjithë subjekteve që tentojnë të zhvillojnë aktivitetin e tyre në kundërshtim me ligjin, duke garantuar vazhdimësinë e punës në terrenin ku ndodhen rreth 110 subjekte tregtare te tilla.

Aksioni i ndërmarrë nga Taks Forca, në përbërje të së cilës janë strukturat e tatimores, rendit, shëndetësisë, ushqimit e mjedisit , veç përmirësimit të kushteve të dhe rritjes së sigurisë së ushqimit ka si qëllim dhe formalizimin e bizneseve, duke u dhënë kohën e duhur për të reaguar.

Ky aksion është kundërshtuar nga kasapët të cilët thonë se është e padrejtë mbyllja e biznesit në mënyrë të rrufeshme dhe pa asnjë lloj argumenti për më tepër që disponojnë licencë dhe paguajnë taksat në bashki prej vitesh.

Aksioni i Task Force, pas vendimit të Këshillit të Ministrave për mbylljen e thertoreve ka vazhduar gjatë ditës së sotme edhe në qytete të tjera .

(Gre.M.mb/Shqiptarja.com)