Aksioni i ri,Basha nis mobilizimin
e bazës për protestat në janar

Aksioni i ri,Basha nis mobilizimin<br />e bazës për protestat në janar<br /><br>
Opozita shqiptare do të vijojë betejën edhe gjatë vitit 2018 kundër zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku. Opozita pretendon se mazhoranca ka shkelur Kushtetutën dhe se ka kapur Prokurorinë e Përgjithshme, me qëllim për të mbyllur dosjet e njerëzve të saj. 

Kështu, pas rrethimit të Parlamentit për tre orë me radhë dhe akteve të dhunës në seancën e fundit plenare, Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për organizimin e protestave në janar, si formë presioni ndaj mazhorancës, për ta detyruar që të anulojë vendimin e miratimit të kryeprokurores së përkohshme. Në kuadër të këtij aksioni politik, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të nisë një turn në rrethe, me qëllim mobilizimin e bazës.

Kryetari i opozitës dhe rrethi i tij i ngushtë nuk do të pushojnë as gjatë festave, por do të angazhohen për të maksimalizuar pjesëmarrjen e protestuesve në tubimet që do të mbahen në muajin janar. Takimet në bazë organizohen pas mbledhjes me drejtuesit e degëve të Partisë Demokratike dhe me deputetët, ndërsa në fokus të tyre do të jetë organizimi i protestave gjatë javës së tretë të janarit.

Basha do të bashkëbisedojë me qytetarët jo vetëm për zhvillimet politike, por edhe për të parë nga afër problemet dhe gjendjen ekonomike. Pra, siç duket, kryeprokurorja nuk do të jetë kauza e vetme e protestës së opozitës, por aksionit të ri politik do të mvishen edhe probleme ekonomike.

Gjatë tre ditëve të fundit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar ambasadorët e BE dhe të SHBA në Tiranë se, vendimi i shumicës për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm do të çojë vendin drejt destabilizimit. Ky paralajmërim mund të nënkuptojë se protestat nuk do të jenë paqësore, si gjatë katër viteve të kaluara.

Po gjatë ditëve të fundit, përpos një tentative për të qëlluar kryeministrin Edi Rama me këpucë në sallën e Parlamentit, përfaqësuesit e LSI kanë ashpërsuar retorikën politike. Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, i ka kujtuar kryeministrit Edi Rama fatin e Esat Pashë Toptanit. Ndërsa, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka paralajmëruar kryeministrin se pas seancës së fundit plenar, nuk do të pijë më kafe i qetë.

Propozimi
Zhvillimi i takimeve me bazë mësohet se është propozuar nga kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, ndërsa vendimi për protesta në janar është marrë gjatë një mbledhje të përbashkët mes krerëve të PD dhe LSI, menjëherë pas seancës plenare, kur u miratua kryeprokurorja e përkohshme.

“Vendimi i opozitës për të nisur një valë protestash duke filluar nga javët e para të janarit është vendimi i duhur, është vendimi i drejtë dhe i përgjigjet thirrjes së qytetarëve, të qytetarëve shqiptarë të cilët nuk mund të pranojnë kurrë që Kushtetuta të dhunohet, e të nëpërkëmbet për të ruajtur, mbrojtur dhe lartësuar pushtetin autokratik dhe kriminal të një qeverie të bërë njësh me krimin dhe krimin e bërë njësh me qeverinë”, tha Basha pas mbledhjes.

Vendimi jo në Kushtetuese
Pavarësisht se e konsideron si puç kushtetues, atentat ndaj reformës në drejtësi etj., Partia Demokratike ka vendosur që të mos e ankimojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Parlamentit për zgjedhjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. “Problemi është thellësisht politik. Grushti i shtetit, puçi kushtetues, nuk ndalet me peticion ndaj gjykatave, por ndalet vetëm me përballje dhe vendosmëri popullore.

Opozita ka pjesën e vetë, opozita nuk është pronare, as zëdhënëse e Kushtetutës, janë të gjithë qytetarët dhe të gjithë faktorët e shoqërisë, duke përfshirë median, shoqërinë civile të vërtetë, jo atë të kapurën dhe të blerën, duke përfshirë faktorin ekonomik, biznesin e vogël dhe të mesëm, të rinjtë, të rejat, studentët , të gjithë njerëzit duhet të vetëdijesohen se Kushtetuta është e tyre, as e imja, as e Edi Ramës, as e Partisë Demokratike, as e Partisë Socialiste”,
ka pohuar Lulzim Basha. 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike