TIRANE- Nga dje ka nisur zyrtarisht faza e dytë e aksionit kundër informalitetit, përmes 600 grupesh pune të administratës tatimore të shpërndara në gjithë territorin e vendit. Siç është përsëritur vazhdimisht së fundmi nga ana e zyrtarëve të lartë, në këtë fazë, bizneset në shkelje të ligjit do të përballen me masa që shkojnë nga gjobat, te konfiskimi e deri te ndjekje penale.

Ministria e Financave ka bërë me dije se aksioni në këtë faza do të zhvillohet në dy drejtime kryesore: së pari skanimi në terren i aktivitetit të bizneseve, që parashikon verifikin e kasave fiskale dhe lëshimin e kuponave, nëse janë apo jo të regjistruar në QKR, nëse kanë deklaruar punonjësit, apo nëse i blejnë produktet me faturë e i shesin me kupton tatimor; së dyti, kontrollet te bizneset e mëdha, të cilat konsiderohen edhe si një prej shkaktarëve kryesore të evazionit. Qeveria pret që të ardhurat nga aksioni kundër evazionit fiskal të fusin në arkën e shtetit rreth 330 milionë dollarë të munguara.