Në 6 ditë, autoritetet kanë sekuestruar 32 ton produkte ushqimore, përfshirë qumësht, djathë dhe mish, që po tregtoheshin pa faturë tatimore. Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se aksioni kundër informalitetit dhe abuzimeve me sigurinë ushqimore do të vijojë pa ndërprerje.

“Vijon papushim sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë! Deri në fund”, shkroi Rama, duke theksuar se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo shkeljeje.

Kjo është pjesë e një aksioni të gjerë të qeverisë, të nisur prej disa ditësh, për të luftuar informalitetin në tregun ushqimor dhe për të garantuar standarde të sigurisë për konsumatorët.

Inspektorët janë në terren duke kryer kontrolle intensive në thertore, pika grumbullimi dhe dyqane ushqimore në të gjithë vendin.