Kapiteni Arben Anamali dhe kërkimet për gjetjen e trupit

Akti i heroik i kapitenit Arben Anamali nuk ka lartësuar vetëm emrin e tij dhe vlerat e humanizmit njerëzor, por edhe një qytet të tërë, Shkodrës.

Teksa shpëtoi dy turistët nga mbytja në liqen dhe dha jetën e tij, pas gjetjes së trupit në një operacion kërkimor prej dy ditësh, kryebashkiaku Benet Beci i ka dedikuar një tjetër postim, ku shprehet se “qyteti humbi një bir, por fitoi një hero”, para të cilit përulen.

Postimi i kryebashkiakut Benet Beci:

“Shkodra përulet për njeriun, heroin Arben Anamali.

Ai nuk ishte thjesht një punonjës, as thjesht një kapiten anijeje. Ishte një njeri që zgjodhi jetën e të tjerëve para jetës së vet.

Një ngjarje e rëndë, që tronditi gjithë Shkodrën, por që njëkohësisht lartësoi emrin e qytetit dhe të Bashkisë Shkodër.

Me guximin, sakrificën dhe zemrën e tij, ai mbrojti jo vetëm jetën e turistëve që ndodhej në rrezik, por edhe nderin dhe dinjitetin e vendit të tij. Kapiteni nuk u kthye më, por la pas një vepër që e bëri të përjetshëm në kujtesën e të gjithëve.

Shkodra humbi një bir, por fitoi një hero.

Kapiteni Arben Anamali bëri atë zgjedhje që vetëm të rrallët mund ta bëjnë: të japësh jetën për një mik të qytetit dhe për të mbrojtur emrin e tij.

Sot, secili prej nesh do të donte të kishte guximin e tij… por vetëm ata që lindin heronj janë të aftë ta bëjnë këtë sakrificë.

Bashkia Shkodër i qëndron pranë familjes së tij në këtë dhimbje të madhe. Përulje dhe nderim të përjetshëm për heroin tonë, Arben Anamali”.

Postimi i kryebashkiakut Benet Beci, për aktin heroik të kapitenit Arben Anamali


Lajmi kryesor:

U mbyt në Liqenin e Shkodrës pasi shpëtoi dy turistët, gjendet trupi i pajetë i kapitenit Anamali! Qeveria e shpall Dëshmor të Atdheut