Një incident është regjistruar gjatë natës në zonën e Hidrovorit të Akërnisë, aty ku prej javësh kanë nisur punimet për ndërtimin e një resorti turistik. Sipas informacioneve paraprake, një person ende i paidentifikuar ka depërtuar në kantier dhe ka spërkatur me lëndë djegëse një skrep dhe disa mjete të tjera të tonazhit të rëndë. Si pasojë, njëri prej skrepave është përfshirë plotësisht nga flakët dhe është shkrumbuar pothuajse totalisht.

Zjarri ka shkaktuar totalisht mjetin, ndërsa mjetet e tjera kanë pësuar dëmtime më të lehta. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve, si dhe shërbimet e Policisë, që kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin ose autorët.

Paraprakisht dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të lidhet me tensionet dhe kundërshtitë e vazhdueshme që kanë shoqëruar këtë investim në zonën e mbrojtur të Akërnisë. Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas protestave të aktivistëve mjedisorë dhe banorëve të zonës, të cilët kundërshtojnë punimet në këtë territor, duke e konsideruar atë si një pasuri natyrore me rëndësi të veçantë ekologjike.

Policia po punon për të dokumentuar shkakun e saktë të zjarrit dhe për të hedhur dritë mbi motivet që mund të kenë çuar në këtë akt.