Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“DJALI” NGA FLORIAN ZELLER E BERISHA, PREMIERË NË TKEKS

“Djali” është shfaqja nga Florian Zeller me regji nga Fatos Berisha, që do të ngjitet premierë absolute në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë mbrëmjen e nesërme në orën 20:00.

2. “VALSI I LULEVE”, NATA E BALETIT KLASIK TE “PETRO MARKO”

Një mbrëmje dedikuar baletit vjen në skenën e Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, nesër, më 29 janar në orën 19:00 nga trupa e baletit e TKOBAP-it. “Valsi i Luleve” sjell fragmente koreografike që udhëtojnë nga eleganca e baletit klasik drejt gjuhës bashkëkohore të lëvizjes, duke krijuar një dialog të ndjeshëm mes traditës dhe shprehjes moderne.

3. “KATEDRALJA E PARISIT” NËN TINGUJT E BACH, BRAHMS E BEETHOVEN

Nën tingujt e kompozitorëve klasikë Johann Sebastian Bach, Johannes Brahms dhe Ludëig van Beethoven vjen romani i dramatizuar “Katedralja e Parisit”, fryt i punës së 80 nxënësve të shkollës “Andon Zako Çajupi”. Shfaqja do të vijë në sallën Black Box të Akademisë së Arteve nesër në orën 16:00.

4. PARAJA RRËFEN: 100 VJET JETË DHE NGJARJE, BANKA E SHQIPËRISË

“Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë ” është ekspozita historike e organizuar nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës për kremtimin e dy jubileve: 100-vjetorin e themelimit të Bankës së Shqipërisë dhe 100-vjetorin e hedhjes në qarkullim të monedhës sonë të parë kombëtare. Ekspozita do të qëndrojë e çelur në Muzeun e Bankës deri më 20 korrik dhe përmes objekteve, dokumenteve, fotografive ndërthur historinë e bankës qendrore dhe të monedhës shqiptare me ngjarjet politike, zhvillimet ekonomike e gjeopolitike që kanë përcaktuar fatet e Shqipërisë.

5.“ALTERAZIONI VIDEO”, VIJON EKSPOZITA NË MUZEUN “MARUBI”

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër vijon të qëndrojë e hapur ekspozita “Olbania” nga kolektivi artistik ndërkombëtar “Alterazioni Video”, një nga zërat më të veçantë të artit bashkëkohor që ndërthur imazhin, arkitekturën, filmin dhe kërkimin kritik.

6. “IMPRESIONE URBANE” NGA NJË GRUP ARKITEKTËSH NË DURRËS

Ekspozita “Impresione urbane” nga arkitektët Maksim Mitrojorgji,  Valentin Voshtina, Pirro Stefa dhe Olsi Plasa vijon të qëndrojë e çelur te galeria “Nikolet Vasia” në Durrës.