Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.FESTA E PEZËS/MUZIKË, ARGËTIM, LOJËRA, TRADITË DHE KULINARI
Një ditë plot histori, muzikë, traditë, art, lojëra dhe argëtim për të gjithë do të jetë ajo e nesërmja në Parkun Memorial të Pezës, ku do të mbahet “Peza n’Fest”. Ekspozita, artizanat e aktivitete kreative, pedalim e lojëra popullore, kuaj e paradë, lojëra për fëmijë, gatime tradicionale, rikrijim teatral i Marrëveshjes së Pezës, muzikë, koncert festiv, kamping, kinema nën yje etj. do të jenë pjesë e kësaj feste.
2. KONCERT I FLAKA GORANCIT E PIANISTES SILVA SKËNDERI NË TKOB
Një mbrëmje e veçantë kushtuar këngës artistike gjermane (Kunstlied), ku muzika, gjuha dhe poezia ndërthuren përmes veprave të Mahler, Wagner, Brahms dhe Schoeck do të jetë koncerti “Mes dashurisë dhe mallit”, që do të mbahet sot në mbrëmje në Teatrin e Operës e Baletit. Interpretojnë mezzo-sopranoja Flaka Goranci dhe pianistja Silvana Skënderi.
3.SEZONI I RI/ KONCERT SIMFONIK I ORKESTRËS SIMFONIKE TË RTSH
Orkestra Simfonike e RTSH-së çel sezonin e ri koncertor sonte në orën 19:30 në hollin “Gjon Simoni". Koncerti do të drejtohet nga maestro Gridi Kraja, ndërsa në rolin e solistit do të jetë pianisti Matia Cerriku. Në program janë “Intermezzo” nga L’amico Fritz i Pietro Mascagni-t, Totentanz i Franz Liszt-it, Adagio për harqe i Gridi Krajës dhe Simfonia nr. 41 “Jupiter” e Ëolfgang Amadeus Mozartit.
4. “PRELUD I NJË RRUGE”, KONCERT RECITAL PIANISTIK NË TKOB
“Prelud i një rruge” është koncerti recital nga pianistja Norena Gaxha, që do të mbahet te Holli Koncertor i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nesër në orën 20:00.
5. EKSPOZITA “THE LONG NECK” SONTE TE GALERIA KALO NË TIRANË
“Qafa e gjatë” (The Long Neck), një ekspozitë e artit shqiptar që eksploron mënyrën se si elemente të stileve të mjeshtërve të mëdhenj të artit mund të interpretohen dhe përkthehen në një kontekst lokal do të çelet në galerinë “Kalo” në Tiranë, sot në orën 18:30.
6. KONCERTI I GRUPIT “TELLI SAZLAR” NË JAVËN KULTURORE TURKE
Në kuadër të Javës Kulturore Turke, grupi trio “Telli Sazlar” sjell sonte në sheshin para bashkisë Shkodër, një interpretim bashkëkohor të muzikës popullore turke. Grupi ndërthur instrumente tradicionale si bağlama, cura, cümbüş, lavta, tar dhe perkusion, me kitarën dhe vokalin, duke krijuar një performancë ku tradita takohet me tingujt modernë.
7. ÇELET EKSPOZITA “GJITHÇKA QË SHOHIM FSHEH DIÇKA TJETËR”
“Gjithçka që shohim fsheh diçka tjetër” është ekspozita, që do të çelet sot në orën 19:00 te galeria “Mag” në autostradën Tiranë-Durrës dhe bën bashkë artistët Artan Peqini, Artan Buca, Dea Tili, Gentian Tabaku, Parid Dule, Orlis Vathi dhe Shpëtim Kërçova, me Gazmend Lekën si të ftuar të posaçëm. Kurator i ekspozitës është Ardian Isufi.












Komente
Komento