Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.KONCERT SIMFONIK ME AMIR XHAKOVIQ E ERMIR KRANTJEN NË TKOB

Një koncert simfonik nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja dhe me pjesëmarrjen e pianistit Amir Xhakoviq do të vijë nesër në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në orën 19:00. Programi ndërthur kryeveprat e repertorit klasik me krijimtarinë bashkëkohore shqiptare, ku në qendër të mbrëmjes do të jetë premiera botërore e veprës “Concerto Trinitas I, II, III” për piano dhe orkestër, kompozuar nga Vasil S. Tole. Mbrëmja do të vijojë me uverturën nga opera “Le nozze di Figaro” të Ëolfgang Amadeus Mozart dhe uverturë-fantazinë “Romeo & Juliet” të Pyotr Ilyich Tchaikovsky-t.

2. “ZËRAT E ARTIT” ME SULKUQIN NË TEATRIN “SKAMPA” TË ELBASANIT

Në Teatrin “Skampa” në Elbasan vjen nesër, më 3 nëntor, në orën 18:00, aktiviteti kulturor “Zërat e Artit” me protagonist maestro Zeqir Sulkuqin. Violinist, pedagog, drejtues artistik dhe “Qytetar Nderi i Elbasanit”, Sulkuqi për dekada me radhë ka kontribuar në ruajtjen e traditës muzikore shqiptare dhe zhvillimin e etno-jazz-it, duke sjellë një udhëtim artistik nga tradita drejt inovacionit muzikor.

3. KONCERTI RECITAL I GRUPIT “BURN” NË UNIVERSITETIN E ARTEVE

Grupi “Burn” sjell koncertin e tij të parë recital më 3 dhe 4 nëntor në sallën e madhe të Universitetit të Arteve në Tiranë. Me moton “Përtej muzikës, aty ku tingujt rrëfejnë histori”, koncerti kremton 23 vite histori, kujtime dhe emocione të treguara përmes muzikës, të cilat do të rijetohen me publikun përgjatë dy netëve të veçanta.

4. SHFAQJA “DJALI” RIKTHEHET NË SKENËN E TEATRIT EKSPERIMENTAL

Drama e familjare “Djali”, e autorit Florian Zeller dhe me regji të Fatos Berishës rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental më 2, 3 dhe 4 nëntor në orën 20:00. Vepra trajton rrëfimin e dhimbshëm të një adoleshenti që përballet me depresionin dhe pasojat e divorcit të prindërve. Në rolet kryesore interpretojnë Jozef Shiroka, Egla Ceno, Arjon Pulleja, Krist Lleshi, Endri Çela dhe Viktor Zhusti.