Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. FESTIVALI I PARË NDËRKOMBËTAR I FILMIT TË PAVARUR NË KUÇOVË

Festivali i parë Ndërkombëtar i Filmit të Pavarur në Kuçovë do të zhvillohet nga sot deri më 18 tetor. Gjatë gjashtë ditëve në të do të shfaqen rreth 100 filma nga qindra vende të botës.

2. SPEKTAKLI “MREKULLITË E ARBËRISË” NË SKENËN E TKOBAP-SË

Spektakli “Mrekullitë e Arbërisë” do të rivijë sot në orën 20:00, në skenën e Teatrit të Operës. Shfaqja do të interpretohet nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe “Gurra e Kurbinit”. Në skenë do të ndërthuren tingujt e lahutës, polifonia, K’cimi i Tropojës, xhubleta dhe tradita të tjera shqiptare. Të ftuar do të jenë Vendim Kapaj në fyell, Pjetër Matusha në lahutë dhe Grupi i Çiftelive.

3.EKSPOZITA “SHTEGTIME TË BARDHA” NË GALERINË “ODA” NË SHKODËR

Ekspozita “Shtegtime të bardha” do të çelet nesër, më 14 tetor, në orën 19:00, në Galerinë “Oda” në Shkodër.

4.“NGJYRAT E JETËS”, EKSPOZITË NË QENDRËN KULTURORE TË MAQEDOONISË SË VERIUT

Ekspozita “Colors of Life” (“Ngjyrat e jetës”), me autore Teuta H. Imeri, do të hapet nesër në orën 19:00 në Qendrën Kulturore të Maqedonisë së Veriut në Tiranë.

5.115-VJETORI I MIGJENIT, AKTIVITET PËRKUJTIMOR NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE

Në kuadër të 115-vjetorit të lindjes së Migjenit, Sot, në orën 18:00, në Qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare do të zhvillohet aktiviteti “Scriptamanent – Një histori në kujtesë në 115-vjetorin e lindjes së Migjenit”. Aktiviteti do të organizohet në formën e një bashkëbisedimi me studiuesin Kastriot Gjika dhe mbesën e poetit, Angjelina Ceka. duke sjellë në vëmendje jetën dhe trashëgiminë e një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqipe.

6. DOKUMENTARI “SHPËTIMI I ENIT – ARRATISJA NGA HOLOKAUSTI”

Dokumentari “Shpëtimi i Enit – Arratisja nga Holokausti”, me autor Bernd Borchardt, do të shfaqet sot, në orën 18:30, në “Europe House” në Tiranë. Filmi rrëfen historinë e Eni Altaratz, e cila në vitin 1943 u arratis nga Shkupi me familjen e saj hebreje, drejt Shqipërisë, përmes Kosovës. Familja arriti t’i mbijetonte Holokaustit falë ndihmës së njerëzve që i ofruan mbrojtje gjatë arratisjes dhe qëndrimit në Shqipëri. Përmes kujtimeve personale, dokumenteve historike dhe dëshmive të pasardhësve të familjeve që i strehuan, dokumentari sjell në vëmendje solidaritetin dhe humanizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Filmi do të shfaqet me titra në anglisht, ndërsa autori do të jetë i pranishëm për ta prezantuar.

7. “PIRAMIDA FEST”, NJË MBRËMJE ME DJ AHMET KILIÇ NË TIRANË

“Piramida Fest” sjell më 14 tetor në Tiranë, Dj Ahmet Kiliç, një emër i njohur në skenën ndërkombëtare të muzikës ‘deep house’. Të interesuarit mund të ndjekin falas një mbrëmje me ritme elektronike.

8. 95-VJETORI I AGOLLIT, EKSPOZOHEN DORËSHKRIMET ORIGJINALE

Në kuadër të 95-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, sot në orën 18:00 në Shtëpinë-Studio Agolli, publikut do t'i prezantohen për herë të parë dorëshkrime origjinale të disa prej veprave të tij. Ekspozita do të përfshijë dorëshkrimet e romaneve “Trëndafili në gotë”, “Arka e djallit” dhe “Dështaku”, blloqe me poezi, tregime, përkthime, një dramë të ndaluar dhe botime të para të veprave të autorit. Krahas materialeve letrare, do të ekspozohen edhe stilografë, shishe boje dhe stilolapsa të koleksionuar nga shkrimtari.

9.PROPAGANDA DHE SHKRIMTARËT AMERIKANO-LATINË 1945–1991

Sot në orën 17:30, në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër do të hapet ekspozita “Letërsi, propagandë dhe shkrimtarët amerikano-latinë, 1945-1991”. Përmes botimeve, dokumenteve, periodikëve dhe materialeve arkivore, ekspozita trajton praninë e letërsisë amerikano-latine në Shqipërinë komuniste dhe marrëdhënien mes letërsisë, përkthimit dhe politikave ideologjike. Në fokus do të jenë autorë, si: Jorge Amado dhe Pablo Neruda, si dhe shkëmbimet kulturore me vende si Kuba.

10. KËRCIM/“MAGNITUDE” NGA ANNABEL KOELE NË FESTIVALIN “ALBANIA DANCE MEETING”

Performanca bashkëkohore “Magnitude”, me krijim dhe interpretim nga artistja Annabel Koele, do të prezantohet nesër në orën 20:00, në skenën “Black Box” të Universitetit të Arteve në Tiranë, në kuadër të festivalit “Albania Dance Meeting”.