Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. MUZIKË/“T'ROCKS FESTIVAL” NË PARKUN OLIMPIK “FETI BOROVA”

Edicioni i katërt i “T'Rocks Festival” (Tirana Rock Festival) do të mbahet sot, më 10 tetor, në orën 19:00, në Parkun Olimpik “Feti Borova” në Tiranë. Në skenë do të ngjiten artistë dhe grupe të njohura të muzikës rock, mes tyre Aleksandër Gjoka, Renis Gjoka, Nomad Band, Morgu Band, NoApology dhe “Rusty Halo Band”. Festivali synon të sjellë një mbrëmje me energjinë e muzikës rock.

2. KËRCIM/“RODEO” NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR TË KËRCIMIT NË TIRANË

Në kuadër të edicionit të pestë të “International Dance Festival of Tirana”, publiku do të ketë mundësi të ndjekë sot dhe nesër performancën “Rodeo” nga kompania “Grenade”. Performanca do të mbahet gjatë ditës në hapësira publike të kryeqytetit. Fillimisht, “Rodeo” ishte një festë, e karakterizuar nga garat sportive dhe ribashkimet dhe tani vjen si një vepër e përqendruar te kultura urbane: plot gjallëri, dinamike dhe mjaft e përshtatshme për t’i njohur publikut të të gjitha brezave disiplinat më moderne të hip-hop-it. Në RODÉO, kërcimtarët ndajnë me njëri-tjetrin teknika të ndryshme të hip-hop-it.  Me koreografi nga Josette Baïz, interpretojnë: Tom Ballani, Pierre Boileau Sanchez, Kim Evin, Elarif Hassani – Stark, Mickaël Jaume.

3. FOLKLOR/VIJON FESTIVALI “ODA DIBRANE” NË PESHKOPI DHE DIBËR TË MADHE

Edicioni i 32-të i festivalit “Oda Dibrane” vijon të mbahet më 9 dhe 10 tetor në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, duke mbledhur artistë dhe grupe folklorike nga trevat shqiptare dhe më gjerë. Festivali i kushtohet ruajtjes dhe promovimit të folklorit e traditës shqiptare përmes këngëve popullore, valleve tradicionale dhe muzikës folklorike. Aktiviteti sjell në vëmendje pasurinë e trashëgimisë kulturore dhe rolin e saj në përcjelljen e identitetit, zakoneve dhe vlerave kombëtare nga një brez te tjetri.

4. PERFORMANCË DHE PUNËTORI/ “REDEFINE” NGA NØELLE NË VILËN 31

Artistja uellsiano-ukrainase Nøelle do të prezantojë sot në “Vila 31 x Art Explora” në Tiranë, performancën gjithëpërfshirëse digjitale live “Redefine”, nga ora 18:00 deri në 19:00. “Redefine” ndërthur audion hapësinore, realitetin e shtuar (AR) dhe teknologjinë që reagon ndaj lëvizjes, duke krijuar një përvojë audiovizuale ku tingulli, trupi dhe teknologjia bashkëveprojnë.

5. KINEMA/FORUMI I INDUSTRISË SË FILMIT NË KINEMATEKËN SHQIPTARE

Një forum i industrisë së filmit do të mbahet nesër nga ora 11:00-14:30 në Kinematekën Shqiptare (Albanian Cinematheque) në Kombinat, Tiranë. Profesionistë të filmit, studiues, përfaqësues institucionesh dhe të ftuar nga rajoni e Mbretëria e Bashkuar do të diskutojnë mbi të ardhmen e kinemasë në Shqipëri, infrastrukturën kulturore, rolin e kritikës së pavarur dhe mënyrat për të forcuar marrëdhënien mes filmit dhe publikut. Programi përfshin gjithashtu projeksionin e filmit “Këpucët e kuqe” (The Red Shoes), me një prezantim dhe bashkëbisedim me historianin e filmit dhe kuratorin Ian Christie.

6. TEATËR/“EVERY BRILLIANT THING”, NË SKENËN E “TULLA CULTURE”

“Every Brilliant Thing” (“Gjitha gjërat e mrekullueshme”) vijon të shfaqet në Qendrën Kulturore “Tulla Culture” në Tiranë, edhe sonte, në orën 20:00. Vepra e Duncan Macmillan dhe Jonny Donahoe, me regji të Fatos Berishës dhe interpretim të Armond Morinës, ndërthur humorin dhe emocionet në një histori mbi jetën, kujtesën dhe arsyet për të vazhduar përpara. Përmes një rrëfimi të ndjeshëm dhe një qasjeje që afron aktorin me publikun, shfaqja fton spektatorët të reflektojnë mbi marrëdhëniet njerëzore dhe gjërat e vogla që i japin kuptim jetës.

7. “MACJA QË BËN PAPUÇE”, SHFAQJE NË TEATRIN E KUKULLAVE

Teatri i Kukullave në Tiranë vijon programin për publikun e vogël me shfaqjen “Macja që bën papuçe”, e cila do të prezantohet edhe të dielën në oraret 10:30 dhe 11:30.

8. “ZNJ. PLASTIKA”, CIRK PËR FËMIJË NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Znj. Plastika” është premiera e re e Teatrit të Kukullave në Tiranë, një spektakël për fëmijë që ndërthur akrobacinë, magjinë, humorin dhe ngjyrat. Historia sjell përballjen e Plastikes me personazhet e Natyrës, Ujit, Akullit, Reve dhe Ngjyrave, të cilat bashkohen për të mbrojtur botën ku jetojnë. Shfaqja do të vijojë edhe sot dhe nesër në orën 17:00.