TIRANE, 21 Shkurt /ATSH/- Aktiviteti kreditues po orjentohet drejt Lekut. Në raportin e vrojtimit mbi kreditimin, që Banka e Shqipërisë publikoi të premten, ekspertët e bankave presin rritje të kredisë dhe ulje të normave të interesit për kredinë në lekë për tremujorin e parë të vitit 2015.
Nga ana tjetër, ata presin rënie të mëtejshme të kredisë së dhënë në Euro dhe rritje të normave të interesit në këtë valutë. Sipas tyre në vitet e fundit, kreditimi i ekonomisë është orientuar më shumë drejt lekut.
Ulja e normave të interesit dhe zhvendosja e ofertës së bankave në monedhën vendase ka bërë që individët dhe bizneset të vlerësojnë më shumë përfitimet nga kreditimi në monedhën e të ardhurave, duke shmangur edhe rrezikun e kursit të këmbimit. Megjithatë, mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, kredia në euro ende sot është më e lirë krahasuar me kredinë në lekë, të paktën në vlerat mesatare.
Sipas Bankës Qendrore, në Nëntor 2014 kredia në euro, për të gjitha maturitetet, jepej me një interes mesatar prej 6.2%, ndërsa për kredinë në lekë interesi mesatar ishte 8.2%. Mbështetur në këto shifra, kredia në lekë është mesatarisht 30% më e shtrenjtë krahasuar me atë në monedhën e përbashkët europiane.
Sidoqoftë, diferencat në normat e interesit janë ngushtuar ndjeshëm, po të kemi parasysh se pesë vjet më parë kredia në lekë, e matur si interes i thjeshtë mesatar, ishte rreth 70% më e shtrenjtë. e,xh/f.n/