WASHINGTON - Aktorja amerikane, Shannon Richardson është akuzuar nga një gjykatë federale që shqyrton çështje të rënda krimesh, si dërguesja e letrave me ricinë, presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama dhe kryebashkiakut të New Yorkut, Michael Bloomberg.

Lajmi është bërë i ditur nga prokurorët federalë duke shpjeguar se mbi Richardson, një aktore pak e njohur rëndojnë tri akuza, pasi ka dërguar letra me helm presidentit, kryebashkiakut të New Yorkut dhe drejtorit të komisionit për kontrollin e armëve ngritur nga Bloomberg. 

Richardson, nënë e 5 fëmijëve, është arrestuar më 7 qershor dhe rrezikon një dënim prej 5 vjet burg për çdo akuzë. 

Kështu bie pista e terrorizmit dhe mesa duket mosmarrveshjet familjare kanë qenë shkas për aktin radikal për të futur në kurth ish-bashkëshortin e saj. 

Aktorja e roleve të vogla në televizion kishte kontaktuar FBI-në duke akuzuar burrin e saj si autor i letrave kërcënuese por dyshimet kanë rënë mbi të deri sa ajo ka pranuar se ka qenë ajo dërguesja e tyre.

Redaksia Online
(lc/by/shqiptarja.com)