Intervistë ekskluzive/ “Bëra një urë në Vllaho Psiotera. Ftova miqtë e mi dhe hodhën 31 milion lekë  të vjetra nga xhepi i tyre sepse ishte jeta e atyre fshatarëve tek ajo urë. Falë kësaj pune ne e fillojmë garën elektorale me 250 vota plus në atë fshat, i cili më mban si perëndi për këtë hall që ju zgjidhëm. Më pas të kam kërkuar një urë po kaq të rëndësishme në një fshat tjetër por ti asnjëherë nuk më mbështete, mendon se e kam për xhepin tim! E premtova në zgjedhje se kështu e pashë të arsyeshme, sepse bëhej fjalë për fitoren tënde. Dhe shuma që kërkon kjo vepër është modeste. Asnjëherë nuk mu përgjigje”.

Kështu i drejtohej tërë krenari Edi Ramës në letrën e largimit Vladimir Kosta. Deputeti e shiste veten si hero për një urë që kishte ndërtuar në Përmet, por një ditë më pas, dëshmia e një biznesmeni e ke rrëzuar përtokë bamirësinë e tij.

Deputeti i vetëlarguar nga PS, Vladimir Kosta, kërkoi t'i merrte një shumë prej 5.3 milionë lekësh një biznesmeni nga Përmeti, kompania e të cilit kishte fituar një tender për rregullimin e urës së fshatit Vllah Psilloter në Përmet.

Denoncimi bëhet nga biznesmeni, Kostandin Gjata, i cili në një intervistë për Report Tv shprehet se kompania “Rosi Shpk” që ai drejton fitoi tenderin për rregullimin e urës së fshatit Vllah Psitoller.

Ndërkohë ai shton se, para se kompania e tij të fitonte këtë tender prej 20 milionë lekësh, deputeti Vladimir Kosta kishte kryer disa punime pranë kësaj urë. Pikërisht për këto punime deputeti tashmë i larguar nga PS, pretendonte se ka harxhuar një shumë prej 5.3 milion lekësh, pra sa një 1/4 e vlerës

Këto para ai ia kërkonte biznesmenit, Kostandin Gjata, kjo dhe me pretendimin se kishte favorizuar atë për të fituar këtë tender. Gjata shprehet se kjo është e padrejtë, pasi tenderin e ka fituar në mënyrë të rregullt dhe sikur të mos ishte kjo, kostoja e punimeve që ka kryer deputeti Kosta mbi urën kap shifrën e 500 mijë lekëve, pasi ai aty ka hapur vetëm një gropë për një nga këmbët e urës.

Ai më kërkoi 5.3 milionë lekë për disa punime që sipas ekspertëve vlera nuk u shkonte as 500 mijë lekë. Unë refuzova t’ia jap pasi ishte e padrejtë. Punimet e urës mbetën pezull për një kohë të gjatë. Deputeti Vladimir Kosta pretendon se me ka favorizuar për të fituar këtë tender, por kjo nuk është e vërtetë”, shprehet biznesmeni. Letra e mbushur me mllef e fyerje që përmendte dhe urën në fjalë, u është shpërndarë mbrëmjen e së hënës me email të gjithë deputetëve socialistë dhe kryeministrit Rama.