Akuza e Nexhmije Hoxhës: Kur Hulusi Spahiu fliste për një anëtar të Byrosë Politike, ti Kadri, pse nuk shkove te shoku Enver dhe…

Akuza e Nexhmije Hoxhës: Kur Hulusi Spahiu fliste për një anëtar të Byrosë Politike, ti Kadri, pse nuk shkove te shoku Enver dhe…

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14  tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme. 

Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poliagjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Proces-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI QENDROR                                                                               Tepër sekret

                                           -Sektori i Përgjithshëm-

 PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

SHOKU ENVER HALILI: Po pse nuk i’a keni thënë Partisë që Hulusi Spahiu në vitin 1956, deponoi se në Konferencën e Tiranës ai ishte ngarkuar për tërë problemet e Konferencës dhe se kish biseduar me Beqir Ballukun? A është fakt ky i një rëndësie që duhej t’ia thoshe patjetër Partisë dhe shokut Enver?

E dyta, a është e një rëndësie që duhej t’ia thoshe Partisë atë që ka deponuar Teme Sejkoja në vitin 1960, se Panajot Plaku ka vajtur në Pashaliman, ka hyrë në një shtëpi ku jetonin dy familje: një familje sovjetike dhe Arif Haskoja. Janë të asaj rëndësie thoni ju, kështu them dhe unë, atëherë përse nuk ia thatë juve këto Partisë që në atë moment? Pse e zgjatni kot?

SHOKU PIRRO KONDI: Këtë të thotë. Përse nuk e keni thënë?

KADRI HAZBIU: More, të lutem shumë, shoku Pirro, unë këtë po them. Është e pamundur që për çështjen e Arif Haskos, të mos e kem thënë, është e pamundur, (të gjithë shokët e pyesin: kujt i’a ke thënë?).

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po mirë, kujt i’a ke thënë? Ti di dhe hollësira, siç të njohim ty, kur të duhen, tani kjo nuk është hollësi, kjo është tradhti e lartë. Të vijë i arratisuri Panajot Plaku, armiku i Partisë dhe i popullit që kishte tradhtuar, të futet në Pashaliman, në bazën tonë, të takohet atje me sovjetikun, me armiqtë tanë në atë kohë, se ishim në luftë me ta ose dhe me Arif Haskon, që atëherë ishte gjeneral, shef Shtabi, a çfarë ishte, si të duket ty? Si të mos e thuash këtë? Hollësi është kjo? Kjo është tradhti e lartë!!

KADRI HAZBIU: Jo, nuk është hollësi, shoku Adil.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po çfarë është?

KADRI HAZBIU: Unë nuk e di këtë gjë, nuk më kujtohet kujt i’a njoftova.

(Të gjithë shokët shprehin pakënaqësi dhe zemërim).

SHOKU PIRRO KONDI: Pse nuk vajte drejt te shoku Enver t’i thoshe?

KADRI HAZBIU: Unë nuk e mbaj mend kujt i’a kam thënë, nuk e mbaj mend.

SHOKU HEKURAN ISAI: Kjo është një akuzë tjetër.

KADRI HAZBIUUrdhëro?

SHOKU HEKURAN ISAI: Kjo është një akuzë tjetër në vazhdim të “autokritikës”.

SHOKU ENVER HOXHA: Është për atë, jo për të tjerët.

SHOKU HEKURAN ISAI: Kadriu na akuzon, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Kë, ne?

SHOKU HEKURAN ISAI: Ai thotë që ka lajmëruar, po ai gënjen. (Shokët: ajo është gënjeshtër).

SHOKU HEKURAN ISAI: Si mund të qëndronte deri tani Arif Haskoja pa dhënë llogari, sikur ky t’i kishte thënë udhëheqjes që Arif Haskoja është takuar me të arratisurin Panajot Plaku?! Deri para pak kohe Arif Haskoja ka qenë gjeneral!! Kush do ta mbante?

KADRI HAZBIU: O, shoku Hekuran, or shoku Hekuran.

SHOKU PILO PERISTERI: Ai do t’ia ketë thënë Mehmet Shehut dhe ky i fundit i ka thënë: mbylle… (të qeshura).

KADRI HAZBIU: Po ashtu supozime ne, shoku Pilo, mund të bëjmë.

SHOKU PALI MISKA: Po jo supozime, nuk janë supozime këto.

KADRI HAZBIU: Lidhur me atë që thotë shoku Hekuran për Panajot Plakun, atje është ngritur që mund të ketë hyrë te sovjetiku ose te Arif Haskoja dhe unë jam i sigurt që këtë fakt, ne e kemi bërë të njohur në atë kohë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po Hulusi Spahiu për Beqir Ballukun e tha në mënyrë ekuivoke, apo e tha ekzakt?

KADRI HAZBIU: E ka thënë ekzakt.

SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë pse nuk ia thatë Partisë?

KADRI HAZBIU: Siç e shoh tani.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po më parë si e shihje?

 KADRI HAZBIU: Një minutë, unë s’e mbaj mend, po ama dhe një gjë është, shoku Ramiz, që shpeshherë elementë armiq jepnin dhe gjëra të tilla. A i duheshin njoftuar medoemos këto të dhëna Partisë?

(Të gjithë shokët shprehin pakënaqësi).

SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Hulusi Spahiu fliste për një anëtar të Byrosë Politike dhe ministër i Mbrojtjes dhe në qoftë se ti i’a the dikujt dhe kuptohet që i’a ke thënë Mehmet Shehut, dhe pe që nuk u mor masë për këtë gjë, atëherë të shkoje deri te shoku Enver, në Komitetin Qendror, e të vije në dijeni Partinë për çka kish thënë Hulusi Spahiu për Beqir Ballukun.

SHOKU RAMIZ ALIA: Dhe për Kiço Ngjelën.

SHOKU NEXHMIJE HOXHA: Si ti nuk e thua atë fakt për Beqir Ballukun në kaq vjet? Edhe kur u dënua Beqir Balluku, ti nuk e the që Partia të shikonte. Në qoftë se ia ke thënë Mehmet Shehut dhe për ty Mehmet Shehu ishte Partia?

KADRI HAZBIU: Jo, jo, unë s’e kam konsideruar kurrë kështu, po se si ka kaluar kjo, kujt ia kam njoftuar, si është trajtuar, tani unë nuk e di.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Po mirë, ti Kadri, kur u bë plenumi i Komitetit Qendror të Partisë për të dënuar veprimtarinë tradhtare e komplotuese të Beqir Ballukut, nuk t’u kujtua gjë?

KADRI HAZBIU: Ë?

SHOKU MANUSH MYFTIU: Kur u bë plenumi i Komitetit Qendror të Partisë për Beqir Ballukun nuk t’u kujtua ky fakt?

KADRI HAZBIU: Jo, nuk mu kujtua, vetëm kur e pashë tani, e them sinqerisht që nuk e kam ditur.

SHOKU MUHO ASLLANI: Po si t’u kujtua tani?

KADRI HAZBIU: Mos vallë ma kanë thënë, more, ku e di unë tani?

SHOKU ENVER HOXHA: Ja, po ta themi që ai ka thënë për Beqir Ballukun, Kiço Ngjelën dhe Rrahman Parllakun. Këta mbetën jashtë, të tërë, i le të lirë, kurse Foni Qirkon e internove. Pse e internove Foni Qirkon dhe këta i le jashtë?

KADRI HAZBIU: Jo, unë nuk di, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Po kush di, i di unë pastaj?!

KADRI HAZBIU: Jo, po Foni Qirkoja mund të ketë pasur dhe gjëra të tjera, kjo do parë, unë nuk e di tani. Nuk jam në gjendje të them pse u bë ajo dhe pse s’u bë kjo. Këtë them unë.

SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: S’të duhej ty Foni Qirkoja.

SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Po mirë, shumë gjëra nuk ju kujtohen, po kjo të kujtohet që kur Partia jonë e rriste zjarrin e saj kundër revizionizmit sovjetik, juve rrisnit numrin e këshilltarëve sovjetikë në ministrinë tuaj? Kjo të kujtohet?

KADRI HAZBIU: Mua ajo më kujtohet, po nuk desha të futem në atë çështje, shoku Llambi.

SHOKU LLAMBI GEGPRIFTITi je futur, e ke në material.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, s’ka në material nga këto gjëra. Nuk ka në material, nga i nxjerr ti këto? Mund të ketë më vonë, atje s’dihet, do të shohim.

KADRI HAZBIU: Mund të ketë, shoku Enver, çfarë të ketë aty janë dhe unë këtu jam, do të përgjigjem për ato që më takojnë mua.

SHOKU JASHAR MENZELXHIU: Mbasi vrau veten Mehmet Shehu, Kadriu erdhi dhe dha të dhëna që Mehmet Shehu vrau veten si armik, po ama nuk tha se ai i kishte dhënë atij këto dhe këto të dhëna, dhe nuk di sa është në dijeni Partia për to.

SHOKU ENVER HOXHA: Erdhi bashkë me Ramizin po nuk tha gjë.

KADRI HAZBIU: Për cilat gjëra?

 SHOKU JASHAR MENZELXHIU: Ti e di çfarë i ke thënë atij.

SHOQJA VITO KAPO: Çfarë i ke thënë Mehmet Shehut?

SHOKU JASHAR MENZELXHIU: Për gjërat që i ke thënë atij. Ti thua se i ke thënë në rrugë shtetërore Mehmet Shehut. Mirë, ky vrau veten dhe u deklarua tradhtar, armik, po ju atëherë nuk reflektuat dhe menjëherë të thoshit, po dale të shoh se këtij njeriu i kam thënë këto e këto. A i keni thënë gjë Partisë për këto?

KADRI HAZBIU: Ato që më janë kujtuar, kur ka qenë rasti i kam thënë që ka ndodhur kjo, e kjo, i kam kujtuar të gjitha, po këtë nuk e di.

 SHOKU FOTO ÇAMI: Po mirë, ti Kadri, si në “autokritikë” ashtu dhe tani flet në përgjithësi dhe nuk ka asnjë të dhënë konkrete për ndonjë problem. Ti flet vetëm për eufori, për familjaritet, për mungesë vigjilence dhe për probleme të tilla të karakterit të përgjithshëm, po si nuk keni reflektuar gjatë gjithë kësaj kohe, gjatë gjithë këtyre ngjarjeve, për të nxjerrë një gjë konkrete, të paktën që të thuash se ky fakt më kujtohet dhe tani, dhe reflektoj kështu apo ashtu. Si është e mundur që nuk të kujtohet një fakt konkret apo një ngjarje konkrete në një vend konkret?

SHOKU HARILLA PAPAJORGJI: Në vazhdim të asaj që tha shoku Foto, desha të them se Mehmet Shehu vrau veten dhjetë-dymbëdhjetë muaj më parë dhe udhëheqja e Partisë e sqaroi gjithë Partinë për gabimet e Mehmet Shehut; juve gjatë kësaj kohe, çfarë ndihme i dhatë Partisë nga tërë ajo kohë 35 apo 40 vjet që kini qenë me të, që pothuajse çdo javë, ose çdo dy javë, nuk keni lënë vend pa bredhur për gjueti dhe ç’muhabete keni bërë. Gjatë kësaj kohe si nuk erdhët juve te shoku Enver të thoni, si të thuash, të bëje një inkursion për të gjitha gjërat dhe t’ia thoshe udhëheqjes së Partisë?

SHOKU REXHEP KOLLI: Në vazhdim të këtyre.

SHOKU ENVER HOXHA: Po.

SHOKU REXHEP KOLLI: Për Konferencën e Tiranës të vitit 1956, ka materiale shumë dhe Partia po i nxjerr dhe po i shikon ato. Kadriu ishte në dijeni, nuk është e mundur të mos ishte në dijeni të proceseve që u zhvilluan, megjithëse ky thotë se nuk i di. Siç del tani nga procesi, Mehmet Shehu dhe Fiqrete Shehu, megjithëkëtë bandë agjenturore që kishin organizuar konferencën, në qoftë se ky është i ndershëm duhet t’i thotë Partisë që Mehmet Shehu atëherë e kishte pyetur për këtë e për këtë, ishte interesuar për këto e për këto. T’i thotë kështu konkrete, po ky nuk i thotë këto gjëra.

KADRI HAZBIU: Po nuk më ka pyetur, çfarë të them unë, të shpif? Hajde të mbaj mend unë tani se çfarë ka pyetur Mehmet Shehu më 1956!!

 SHOKU REXHEP KOLLI: Ti thoshe se raportoje në Komitetin Qendror nga ana operative, thoshe që kishe njoftuar dhe Komitetin Qendror, por del që ti nuk e ke informuar fare për çështje kryesore politike, po ndofta e ke informuar për ca kriminelë e ca banditë. Tani pse nuk erdhe të thoshe që ke qenë në kontakt të vazhdueshëm me Mehmet Shehun dhe ai të kish thënë për këtë?

SHOKU ENVER HOXHA: Shoku Rexhep, të të bëj një pyetje unë ty?

SHOKU REXHEP KOLLI: Po, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Ty të ishte formuar ndonjë mendim në kokë, se Kadriut i ishte formuar, që po të dilte ndonjë e dhënë për ndonjë personalitet, nuk duhej t’ia thoshte Partisë, se po t’ia thoshte, do të quheshe trockist?

SHOKU REXHEP KOLLI: S’është e vërtetë. Ka platformë, ka norma partie për gjëra të tilla. Këto janë edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme sipas tyre, për cilindo, kur del ndonjë gjë, në qoftë se është parullë apo gjë tjetër ose në qoftë se dikush thotë që kështu e kështu etj., ai që e merr këtë të dhënë, shkon deri te ministri i Punëve të Brendshme dhe ai pastaj ia jep Partisë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ja jep Partisë.

SHOKU REXHEP KOLLI: Kështu është. Pastaj ka apo nuk ka gjë duhet verifikuar, duhet çuar më tej.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu pra, drejt.

SHOKU REXHEP KOLLI: Se njerëzit që kanë dalë armiq e bashkëpunëtorë me armikun, ose janë mbrojtur, ose ka një liberalizëm që dhe kjo këtu nuk shpjegohet. Do dal unë edhe në këtë çështje se Partia na kishte çuar ne të merreshim me këto probleme, këtë kishim për detyrë që të dallonim çka ishte armiqësore dhe cilët ishin njerëzit tanë, kushdo që të ishin. Dhe po të ishte problemi i rëndësishëm, sipas rëndësisë së çështjeve, Kadriu duhet të vinte deri te shoku Enver e t’i thoshte që kanë dalë këto materiale, ka dalë kjo e dhënë. Këtu del që ti Enver nuk ke komunikuar fare me udhëheqjen e Partisë. Me cilin ke komunikuar ti? Me këta krye-agjentë? Po pse nuk reflekton tani e të thuash që në këto takime, në këto biseda, në këto informacione, këto të dhëna ia kam dhënë këtij kështu e këtij ashtu?

SHOKU ENVER HOXHADrejt.

KADRI HAZBIU: Është një kohë shumë e gjatë, more shoku Rexhep.

SHOKU REXHEP KOLLI: Këtu nuk është puna e një të dhëne, po është punë delikate, punë e gjatë.

SHOKU ENVER HOXHA: Janë punë parimesh këto, Kadri, nuk janë çështje kohe./Memorie.al

Vijon...

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë