Nuk ka ende një njoftim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, se kur do të mblidhet për ta shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë që u refuzua edhe nga shkalla e parë edhe nga e dyta.Kjo pasi sipas burimeve të prokurorisë në dosjen hetimore kundër tyre është administruar përgjigjia e autoriteteve Spanjolle,se nëpërmjet kartës së kreditit të shtetasit Fatjon Pula,kushëriri i shtetasit Namik Sadiku,i cili ishte palë e paditur në një proces civil që gjykohej nga tre gjyqtarët,ata kanë qëndruar në ambjentet e një hoteli në Spanjë.
Qëllimi i kësaj vizite ishte për të ndjekur derbin “El Clasico” mes Real Madrit dhe Barcelonës.Është vërtetuar thotë prokuroria se Fatjon Pula ka paguar 450 euro për qëndrimin e tre gjyqtarëve në hotel. Ndërkohë në kërkesën e saj prokuroria shton se dhe shpenzimet e tjera si bileta e udhëtimit dhe bileta e hyrjes në stadium, ka dyshime të forta se është paguar nga shtetasi Namik Sadiku. Nisur nga kjo situatë dhe krijimit të dyshimit të arsyeshëm, pak ditë më parë prokuroria i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Krimeve të Rënda, për pezullimin nga detyra të tre gjyqtarëve të apelit Durrës Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno.
Refuzimi për të gjykuar dosjen
Gjykata e Apelit Për Krime të Rënda ka refuzuar të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë,e cila kishte kërkuar pak ditë më parë pezullimin nga detyra të tre gjyqtarëve të Apelit Durrës Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno.Vendimi i tre gjyqtarëve të Apelit Nertina Kosova,Dhurata Averi dhe Albana Boksi për të mos marrë fare në shqyrtim kërkesën e prokurorisë është bazuar në nenin 249/1 të Kodit të Procedurës Penale që flet për “Ankimin kundër masave të sigurimit”. Sipas tre gjyqtarëve të Apelit për Krime të Rënda, nuk mund të marrin në shqyrtim kërkesën e prokurorisë për shkak se kërkesa e akuzës nuk mund të legjitimohet, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda pak ditë më parë kishte refuzuar kërkesën e akuzës për pezullimin nga detyra të tre gjyqtarëve të Apelit Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çenotë akuzuar për “korrupsion” dhe “Shpërdorim detyre”. Me urdhërin e refuzimit për gjykimin e çështjes prokuroria është njohur në orën 09:00 të mëngjesit të 19 dhjetorit 2017.
Argumentat e gjykatës
Luan Hasneziri nuk pranoi kërkesën Prokurorisë për Krime të Rënda, duke mos caktuar masën e sigurisë “pezullimin nga detyra” të tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit në Durrës të dyshuar për “Korrupsion” dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim. “Shqiptarja.com” mëson se në vendim, gjyqtari Hasneziri pranon faktin se tre gjyqtarët e Apelit Durrës kanë udhëtuar në drejtim të Spanjës dhe pagesën e qëndrimit në hotel që është bërë nga Fatjon Pula, por argumenton se kjo nuk krijon bindjen se jemi përpara faktit të dyshimit të arsyeshmëm për një aferë korruptive, që do të binte gjykatën për të vendosur pezullimin e tyre nga funksioni i gjyqtarit. Nga ana tjetër prokuroria thotë se gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo e Apelit po procedon me standard të dyfishtë për sa i përket termit “dyshim i arsyeshëm”,pasi në raste të ngjashme analoge, ka vendosur pranimin e kërkesave duke caktuar masën e “arrestit në burg”.
dy.b/shqiptarja.com