Me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme, është pezulluar zbardhja e vendimit të Gjykatës së Lartë, që i jepte mundësinë Eleni Linos dhe Ilia Çabirit për t’u bërë pronarë të 40 hektarëve tokë në zonën e Butrintit, afër Sarandës. Vendimi i dhënë një javë më parë nuk do të zbardhet me argumentat e tij, pasi, sipas prokurorisë, në këtë vendim nuk i lejohet të japë argumenta juridikë gjyqtares Majlinda Andrea, e cila ka qënë në trup gjykues dhe që tashmë akuzohet nga prokuroria se ka marrë 50 mijë euro nga Çabiri dhe Lino me qëllim mospranimin e rekursit, të depozituar në Gjykatën e Lartë nga Avokatura e Shtetit. Për momentin, gjyqtarja Andrea është e pezulluar nga detyra dhe administrata e Gjykatës së Lartë i ka hequr të drejtën e pagesës dhe të drejtën e përdorimit të makinës që e disponon nga institucioni.
/Shqiptarja.com











