Akuzat e PD, Ahmetaj:Jepini fund
përbaltjes, flisni me fakte e shifra

Akuzat e PD, Ahmetaj:Jepini fund<br />përbaltjes, flisni me fakte e shifra<br /><br>
Ministria e Financave iu është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike lidhur me investimet e huaja në vendin tonë, të cilat u cilësuan si më të ulëtat nga kjo forcë politike. MF i bën thirrje deputetes Jorida Tabaku dhe gjithë anëtarëve të PD ta bazojnë mbi fakte dhe shifra konkrete debatin mbi ekonominë. 

Më tej, ministri Arben Ahmetaj sqaron në reagimin e tij se investimet e huaja direkte, ashtu si ekonomia, janë dinamike, dhe se investimet e huaja në total në dy vite kanë qenë 2 miliardë euro. Sipas tij, investimi në Devoll kishte stopuar, pasi qeveria e PD nuk mbajti angazhimet e saj kontraktuale për të krijuar infrastrukturën e domosdoshme rrugore për këtë investim, gjë që sipas ministrit, u bë e mundur nga qeveria Rama, me një mbështetje prej rreth 400 milionë euro.

Reagim i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për deklaratën e PD
Në përgjigje të deklaratës së sotme të Partisë Demokratike, ‎Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaron se është në favor edhe të Partisë Demokratike, por mbi të gjitha të qytetarëve shqiptarë, që debati mbi ekonominë të bazohet në fakte dhe shifra konkrete që reflektojnë realitetin e terrenit ekonomik në Shqipëri.

Investimet e huaja direkte, ashtu si ekonomia janë dinamike. Nëse TAP dhe Devoll kanë investuar rreth 600 Milion euro në dy vite, investimet e huaja në total në dy vite kanë qenë rreth 2 miliard euro, pra me një llogari të thjeshtë, këto investime nuk përbëjnë 60% të totalit.

Ndërkohë, investimi në Devoll kishte stopuar pasi qeveria e PD nuk mbajti angazhimet e saj kontraktuale për të krijuar infrastrukturën e domosdoshme rrugore për këtë investim, gjë që u bë e mundur vetëm nga Qeveria Rama, me një mbështetje prej rreth 40 Milion euro.

Gjendja e investitorëve në sektorin e energjitikës në vitin 2013 ishte totalisht në kolaps. Një nga investimet e mëdha në fushën e energjisë kërcënonte për tërheqje (dhe ekzekutimin e garancisë) për shkak të mos plotësimit të detyrimeve kontratuale dhe fiskale të qeverisë Berisha në 2013.

Historia e investimeve të huaja direkte është në fakt krejt ndryshe.

Sipas Bankës së Shqipërisë:

•             FDI 2013 – 825 milionë euro, pa përfshirë privatizimet në sektorin e energjisë 120M në 2013

•             FDI 2014 - 869 milionë euro

•             FDI 2015 - 884 milionë euro

•             FDI 2016 - 982 milionë euro

Për periudhën janar-shtator të vitit 2017, Investimet e huaja direkte shënuan vlerën +676.6 milionë euro, që tregon se edhe këtë vit investimet e huaja direkte do të jenë rreth 900 Milion euro në fund të vitit. Për sa i përket klimës së biznesit që “tërhiqte” investimet e huaja gjatë qeverisjes së PD, faktet flasin vetë:

•             720 milion USD (5.2% e GDP) detyrime të prapambetura.

•             Sistemi energjitik në kolaps

•             Kreditë e këqija në maksimumin e vet historik 24%

•             Administrata fiskale – abuzive (35milion USD gjoba elektorale vetëm ne 2013) dhe vendimmarrje klienteliste (në rimbursimin e TVSH)

•             Ngadalësimi i ritmit të rritjes ekonomie në 1% në 2013, rezultati më i ulët krahasuar vetëm me vitin 1997.

 Në vitin 2017, ekonomia shqiptare, ka vijuar ecurinë e saj pozitive, jo vetëm sipas qeverisë shqiptare.

•             Raporti i Komisionit Evropian (DG ECFIN) i tetorit të këtij viti, citon: “Rritja reale e PBB-së arriti 4.1% në tremujorin e dytë nga 4.0% gjatë tremujorit të mëparshëm. Të gjithë komponentët e kërkesës së brendshme kanë dhënë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. Të dhënat e disponueshme sugjerojnë se aktiviteti ekonomik ka vazhduar të zgjerohet edhe gjatë  tremujorit të tretë. Në veçanti, besimi i konsumatorit vazhdoi të përmirësohet dhe besimi i biznesit mbeti në një nivel relativisht të lartë”.

•             Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese ka arritur në nivelin 69.7%, me një rritje prej rreth 14.3 pikë përqindje në harkun kohor të një viti e gjysmë. E thënë ndryshe, në terma relativ krahasuar me fundvitin 2015, ka një përmirësim me rreth 25.8%. (Çka tregon se ekonomia po i afrohet kapacitetit të vet- Raporti i Politikes Monetare III/2017) 

•             Po ashtu edhe dy agjencitë më të mëdha të vlerësimit të riskut ndajnë të dyja (pra si Standard and Poor’s ashtu edhe Moody's) gjykimi mjaft pozitive sa i takon ekonomisë shqiptare dhe qëndrueshmërisë së finanacave dhe të dyja rikonfrimuan edhe njëherë vlerësimet e tyre respektivit ''B+'' dhe ''B1'' si dhe vlerësimin ''Stable / i qëndrueshëm'' sa i takon perspektivës në vijim.

•             Ndërsa numri i ndërmarrjeve të huaja dhe me kapital të përbashkët në 2016 është 5,637 ose mbi 19% më shumë se në 2013.

 PD akuzon se ka njohur rritje vetëm ekonomia e drogës. Në fakt, sipas Bankës së Shqipërisë: “Ekonomia shqiptare duket se po i afrohet gradualisht nivelit të potencialit, e reflektuar kjo si në rënien e normës së papunësisë ashtu edhe në trendin afatmesëm të rritjes së normës së shfrytëzimit të kapaciteteve.

Ky përmirësim ciklik do të mundësojë një rritje graduale të pagave dhe një konvergjencë të marzheve të fitimit të biznesit drejt mesatareve historike. Konsumi privat dhe investimet janë mbështetur nga përmirësimi i besimit në ekonomi, rritja e punësimit dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte”. (Referencë Raporti i Politikës Monetare III/2017)

•             Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e dytë të vitit 2017 vlerësohet me rritje prej 4,06%.

Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: Ndërtimi me +1,84 pikë përqindje, Industria, Energjia dhe Uji me +0,69 pikë përqindje, Tregti Hotele dhe Restorante dhe Transporti me +0,52 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,43 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,27 pikë përqindje, Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi me +0,16 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,05 pikë përqindje, Pasuritë e paluajtshme me +0,05 pikë përqindje. (Referencë INSTAT – PBB – T2 2017)

•             Rritja e konsumit të popullsisë: Konsumi i popullatës rritet në mënyrë të vazhdueshme për tetë tremujor.

•             Rritja e të ardhurave te disponueshme: Të Ardhurat e Disponueshme Kombëtare Bruto parashikohen deri në fund të vitit 2017 të arrijnë një vlerë prej 1,683.5 miliardë, një rritje nga viti i mëparshëm prej rreth 5.8%; ndërkohë që ky trend rritës vijon që prej vitit 2014. Mesatarja e rritjes së të ardhurave të disponueshme për banor (matur në Euro) në katër vitet e fundit (2014-2017) është rreth 4.3%, ndërsa për vitet 2010-2013 është 2.4%.

Sa i takon kreditimit të biznesit, Raporti i Bankës së Shqipërisë, Tendencat e Kreditimit Tremujori 3 2017‎, thekson se:

"Kredia për biznese është rritur gjatë tremujorit të tretë, në reflektim të kërkesës së shtuar nga segmenti i korporatave dhe ruajtjes përgjithësisht të pandryshuar të standardeve të kreditimit. Zgjerimi i këtij portofoli prej 2.2% është mbështetur gjerësisht nga kreditimi për investime, ndërkohë që kredia për likuiditete shfaqet e luhatshme. Këto zhvillime kanë faktorizuar përmirësimin e aktivitetit ekonomik në vend, përmirësimin e besimit dhe uljen e pasigurisë në periudhën pas zgjedhore, si dhe kushtet monetare dhe financiare të lehtësuara."

Partia Demokratike akuzon sektorin e ndërtimit, pa bërë asnjë analize për rritjen ekonomike dhe komponentët e veçantë përbërës të saj. Kontributi i ndërtimit në produktin e brendshëm bruto në 2016 është në nivel më të ulët se e çdo viti nga 2006 deri në 2013. Rritja graduale e sektorit të ndërtimit nuk ka lidhje me paratë e drogës, por me ndryshimin e ciklit të biznesit që ndodh në çdo sektor.

Nëse përdorim logjikën e PD, statistikish sektori i ndërtimit e ka pasur nivelin më të lartë historik në vitin 2009 (23% me i lartë se 2016) gjë që (sipas logjikës suaj) tregon se në kohën kur Lulzim Basha ka qenë Ministër i Brendshëm i qeverisë Berisha, ka qenë edhe kulmi i investimit të drogës dhe krimit të organizuar në vend.   

Po sipas Raportit të Bankës se Shqipërisë, "shpërndarja e kreditimit sipas sektorëve të ekonomisë tregon se bankat në tremujorin e tretë kanë rritur financimin e sektorit të ndërtimit, të shërbimeve dhe të bujqësisë. Norma vjetore e rritjes së kredisë për bizneset e ndërtimit u përshpejtua deri në 5.5%, krahasuar me 2.4% në tremujorin e dytë. Në të njëjtën linjë ishte dhe zgjerimi vjetor i portofolit të kredisë për sektorin e shërbimeve, i cili u rrit mesatarisht me 5.5%, përkundrejt 1.2% të shënuar një tremujor më parë".

 Së fundi, një përgjigje PD-së edhe për politikat e qeverisë në raport me qytetarët. Qeveria e PD si rezultat i administrimit të dobët të financave publike (përveç se la rreth 5.2% të PBB detyrime të prapambetura), shënoi dhe minimum historik të mbledhjes së të ardhurave me 24.2% të PBB (niveli më i ulët i këtij indikatori pas vitit 1997), duke rritur borxhin publik nga 58.2% në 2005 në 70.4% në 2013.

Falë administrimit të mirë dhe politikës fiskale, të ardhurat e buxhetit sot janë rreth 28% të PBB dhe borxhi publik trajektore tashmë rënëse.

•             Taksa progresive mbi pagat e aplikuar në vitin 2014 e në vijim, 

-              10-12 miliard lekë në vit në xhepat e qytetarëve të thjeshtë, (të arsimtarëve, të policëve, të mjekëve dhe infermierëve, jo te trafikantët).

•             Hoqëm taksën e biznesit të vogël:

-              Përfituan rreth 70 mijë biznese

•             Taksimi 0 për bizneset me xhiro 0-5 milion lekë:

-              Përfituan rreth 73 mijë biznese

-              1.3 miliard në vit më shumë për bizneset e vogla

-              Taksimi 5% për bizneset me xhiro 5-8 milion lekë:

-              Përfituan 15,650 biznese

-              0.5 miliard në vit më shumë për bizneset e vogla

•             Ulëm papunësinë në 13.9%

•             Janë shtuar rreth 214 mijë të punësuar të regjistruar në organet tatimore (që prej Shtatorit 2013)

Partia Demokratike bën mirë t'i japë fund përbaltjes së vendit, sakrificave që qytetarët bënë për t'iu larguar rrezikut të kolapsit ku ndodhej vendi në 2013, dhe kontributit serioz të sipërmarrjes së ndershme shqiptare, në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe punësimit në vend. Në vend të politikës së boshllëkut, PD të ndajë me qytetarët, sugjerimet dhe kontributin e saj për t'i përmirësuar më tej politikat në favor të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë dhe ekonomisë së vendit.​

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqjen

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqjen