TIRANE - Kreu i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Ardian Çela ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike tha se nuk është marrë asnjë qindarkë nga konsumatorët, faturat e të cilëve janë anuluar.
 
Duke folur në një dalje për mediat Kreu i OSHEE-së, i cilësoi të shëmtuara akuzat e PD, duke u shprehur se është pikërisht qeveria e shkuar e cila e zhyti institucionin që ai drejton në 1 miliard dollarë borxhe.
 
“Është shumë e shëmtuar që kush e zhyti 1 miliard dollarë borxh kompaninë, sot lufton përditë për të mos e lënë të rimëkëmbet. Kamatëvonesat nuk i prodhoi kompania, por politika e qeverisë së shkuar që e ktheu pasurinë kombëtare të energjisë në një mall pa zot. Për më tepër thirrje të tilla vijnë në kundërshtim me vullnetin e dhjetëra mijëra qytetarëve që kanë paguar dhe po paguajnë detyrimet, duke përfituar ulje 80 përqind të kamatëvonesave. Politika e faljeve në mallin pa zot dështoi disa herë në të shkuarën duke sjellë më shumë vjedhje dhe më shumë borxhe. Sa për faturat e anuluara për 53 mijë e 900 konsumatorë, bëjmë me dije se ne nuk kemi arkëtuar asnjë prej detyrimeve të asaj kategorie.” tha ai
 
Çela dha një tjetër lajm të mire duke nënvizuar anulimin për një kategori konumatorësh që janë faturuar padrejtësisht në trë kaluarën. 

"Po përgatisim një anulim tjetër, plotësisht ligjor, për një tjetër kategori konsumatorësh të ngarkuar padrejtësisht nga e shkuara. Nga viti 2010 kur u mor vendimi nga ERE për anulimin e gjobave nga thuajse 54 mijë konsumatorëve, këta zotërinj ndenjën duarkryq e nuk lëvizën as majën e thoit për të vendosur drejtësinë në vend. Sot ankohen pse OSHEE bëri drejtësi dhe i çliroi abonentët e vet nga ngarkesa financiare të padrejta. Këta zotërinj që sot bëjnë politikë patrullash partiake për t’i bllokuar rrugën ligjit e shtetit, njësoj siç bënë dje ku zunë rrugën e karvaneve me ndihma, janë përgjegjësit e vetëm të krizës që kërcënonte ta çonte Shqipërinë në kolaps energjetik dhe financiar. Apeli im per qytetarët është nxitoni të përfitoni deri më 28 shkurt nga oferta e kompanisë për uljen 80 përqind të kamatëvonesës duke paguar menjëherë borxhin. Kush i dëgjon ata që e mbytën Shqipërinë dhe kompaninë në borxhe, rrezikon të mbytet në llumin e politikës së tyre. OSHEE është kompania më e madhe shqiptare dhe Partia Demokratike nuk ka asnjë të drejtë e asnjë detyrë në lidhje me kompaninë përvçse të paguajë rregullisht energjinë që konsumon sa më parë." u shpreh kreu i OSHEE-së

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)