Akuzat e PD,MB:Xhuvani në kërkim
por Prokuroria s'dha masë sigurimi

Akuzat e PD,MB:Xhuvani në kërkim<br />por Prokuroria s'dha masë sigurimi
TIRANE - Ministria e Brendshme reagon ndaj akuzave të Partisë Demokratike, se sipas opozitës  Kostandin Xhuvani ishte një person i shpallur në kërkim, por se policia  e linte të lirë qëllimisht.
 
Përmes një komunikate për shtyp, Ministria e Brendshme, saktëson akuzat e ngritura nga PD, duke theksuar se Kostandin Xhuvani, i akuzuar për vrasjen e 4 fishtë ditën e djeshme në Tiranë, ka qenë i shpallur në kërkim policor për një ngjarje të majit të këtij viti. Por sipas Ministrisë së Brendshme, gjatë kohës që Xhuvani ka qenë në kërkim policor, nga organi i Prokurorisë nuk është vendosur masë sigurimi ndaj tij.

Për këtë arsye Ministria e Brendshme, nënvizon se bazuar në kuadrin ligjor, pas një muaji shpallje në kërkim, por pa masë sigurimi nga ana e organit të akuzës, është bërë anullimi i kërkimit të Xhuvanit për kalim të afatit policor.

Në komunikatën për shtyp, Ministria sqaron opinionin publik se Kostandin Xhuvani u shpall në kërkim, për një ngjarje të ndodhur në Gjirokastër më datë 25.04.2014 rreth orës 19:30, ku është konfliktuar në një bar për një vajzë me shtetasin Ergys Gashi si dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Siç thekson Ministria e Brendshme po atë ditë është bërë shpallja në kërkim e personit të dyshuar për këtë ngjarje, shtetasit Kostandin Gjergj Xhuvani, ndërsa materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve”.

Pavarësisht kësja, Ministria nënvizon faktin se gjatë kohës që Xhuvani ishte në kërkim, Prokuroria nuk ka vendosur masë sigurimi ndaj tij, ndaj dhe mbështetur edhe në Udhëzimin e Ministrit të Brendshëm “Për përdorimin e burimeve të informacionit, marrjen, administrimin, verifikimin dhe vlerësimin e të dhënave” nga Policia e Gjirokastrës, është bërë anullimi i kërkimit të këtij shtetasi për kalim të afatit policor.

Më poshtë komunikata e plotë për shtyp e Ministrisë së Brendshme:

Lidhur me akuzat e ngritura nga Partia Demokratike se shtetasi Kostandin Xhuvani ka qenë person i shpallur në kërkim dhe Policia e Shtetit qëllimisht e ka lënë të lirë, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron opinionin publik se:

- Në datë 25.04.2014, rreth orës 19:30, shërbimet e policisë së Komisariatit Gjirokastër janë njoftuar se pranë lokal “Lithiumit” në lagjen 18 Shtatori ka ndodhur një konflikt me armë ku një person ka qëlluar me pistoletë në ajër. Menjëherë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ku është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe shoqërimi për në Komisariat i disa personave të pranishëm.

Nga informacionet paraprake për këtë ngjarje është mësuar se në brendësi te Bar-Lokal “SËEET” pranë stadiumit të qytetit ka nisur nje konflikt midis disa personave për shkak të një femre. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje janë shoqëruar dhe janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprën penale 11 persona.

Nga pyetja e dëshmitarëve në vendngjarje ka rezultuar se një konflikt ishte shkaktuar për shkak të dy vajzave, mes një grupi prej 3 të rinjsh dhe të tjetër shtetasi që shoqërohej me vajzat. Djemtë pasi kishin dalë nga lokali kishin filluar të ofendoheshin me njëri-tjetrin dhe të shtyheshin me duar, por pa u goditur. Më pas, njëri prej tyre ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri, të tipit pistoletë, me të cilën ka qëlluar tre herë në ajër dhe pas kësaj ai është larguar në drejtim të vendit ku qëndrojnë taksitë. Nga të shtënat u dëmtua xhami i një automjeti, por nuk ka pasur persona të dëmtuar.

Nga informacionet e menjëhershme të marra në rrugë operative është mësuar se i dyshuar për këtë ngjarje ishte shtetasi Kostandin Xhuvani. Për dokumentimin e kësaj ngjarje bazuar dhe në nenet 171, 172 dhe 174 të Kodit të Procedurës Penale është proceduar duke siguruar e kqyrur nga Sistemi TIMS fotografitë si dhe të dhënat e këtij shtetasi të dyshuar. Gjithashtu janë kqyrur dhe marrë edhe fotografitë e të dhënat e tre personave të tjerë, me ngjashmëri të përafërt me personin e dyshuar. Fotografitë e marra janë përdorur për paraqitjen për njohje nga personat e pranishëm në vendngjarje.

Është bërë veprimi hetimor i paraqitjes për njohje me anë të fotografisë, dhe të tre personat e pranishëm në momentin e ngjarjes kanë identifikuar fotografinë e të njëjtit person, e cila i përkiste shtetasit Kostandin Gjergj Xhuvani, i cili ka qënë personi që është konfliktuar me shtetasin Ergys Gashi si dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Po atë ditë me shkresë nr. ekstra (883), datë 25.04.2014 është bërë shpallja në kërkim me kartelë me ngjyrë “rozë” e personit të dyshuar për këtë ngjarje, shtetasit Kostandin Gjergj Xhuvani.

Me shkresën nr.786, datë 27.04.2014, materialet proceduriale në ngarkim të shtetasit Kostandin Xhuvani i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve”, të parashikuara nga neni 84 dhe 278, të K. Penal.

Gjatë kohës që ky shtetas ka qenë në kërkim policor, nga organi i Prokurorisë nuk është vendosur masë sigurimi ndaj këtij shtetasi, ndaj dhe mbështetur edhe në Udhëzimin e Ministrit të Brendshëm nr. 56/1 datë 27.05.2013, “Për përdorimin e burimeve të informacionit, marrjen, administrimin, verifikimin dhe vlerësimin e të dhënave” nga Policia e Gjirokastrës në datë 27.05.2014, është bërë anullimi i kërkimit të këtij shtetasi për kalim të afatit policor.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI