Akuzat e PD për Skavicën, MEI:
Studimi është kryer në kohën e PD

Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) ka reaguar pas deklaratës së Partisë Demokratike ku tha se studimi i studios franceze Sogreah me financimin e BB për llogari të shtetit shqiptar, është kryer pikërisht në kohën kur PD ishte në pushtet, duke hedhur poshtë deklaratën e Partisë Demokratike për spekulimet mbi çështjen e ndërtimit të hidrocentraleve në rrjedhën e Drinit të Zi.

Në një deklaratë për mediat MEI bën të ditur se, PD e ka në misionin të saj për të keqinformuar qëllimshëm opinionin publik, duke bërë të pa diturën. Me synimin informimin e opinionit publik, Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se studimi i studios Sogrea i vitit 2009 është pronë e qeverisë shqiptare.

Ja deklarata e plotë
Përmes një deklarate qesharake, Partia Demokratike vazhdoi edhe sot spekulimet mbi çështjen e ndërtimit të hidrocentraleve në rrjedhën e Drinit të Zi.
 
Që në reagimin e parë publik ndaj spekulimeve të Partisë Demokratike (5 Janar 2016), Ministria e Energjisë dhe Industrisë i ka kujtuar partisë kryesore të opozitës se pikërisht në kohën kur ajo ishte në pushtet është kryer studimi i studios franceze Sogreah me financimin e Bankës Botërore dhe për llogari të shtetit shqiptar. (http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/projekti-i-skavices-mei-pd-shpif-ja-e-verteta-e-procedurave)
 
Në misionin e saj për të keqinformuar qëllimshëm opinionin publik, nuk është e papritur që sot Partia Demokratike bën të pa diturën. Rëndom ndodh që kjo forcë politike nuk lexon sqarimet e institucioneve shtetërore dhe as nuk kërkon informacion.
 
Me synimin informimin e opinionit publik, Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se studimi i studios Sogrea i vitit 2009 është pronë e qeverisë shqiptare. Ky studim jep rekomandime mbi skemat e mundshme të shfrytëzimit të potencialeve ujore. Konkretisht, për rastin e Drinit të Zi, sikurse është bërë publike, studimi jep disa variante dhe impaktet social-mjedisore që mund të sjellin.
 
Studimi konsideron të financueshme skemat me dy hidrocentrale, përkatësisht Katund i Ri dhe Skavica. Qeveria shqiptare ka filluar përpjekjet për të gjetur format e financimit që Skavica të mund të ndërtohet prej Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.
 
Për rastin e HEC-it Katund i Ri, bazuar në ligjin 125/2013 “Për koncesionet dhe PPP”,bashkimi i “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” kanë dorëzuar tek qeveria shqiptare propozimin e pakërkuar për ndërtimin e HEC Katund i Ri.
 
Studimi i Sogreas përfaqëson skemë shfrytëzimi në tërësi për të gjithë Drinin e Zi. Bashkimi i “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” kanë depozituar një propozim të pakërkuar që përmban studim të detajuar inxhinierik dhe fizibiliteti ekonomik, përfshirë mos detyrimin e shtetit për të garantuar blerjen e energjisë së prodhuar. Studim ky i cili tanimë konsiderohet gjithashtu pronë e shtetit shqiptar dhe mund të përdoret prej tij edhe në rastin kur gara për këtë procedurë mund të mos dalë me sukses.
 
Bazuar në ligj, përmes vendimit, Nr.1068, datë 23.12.2015, Qeveria ka vlerësuar projektin e specifikuar, paraqitur nga bashkimi i “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” për ndërtimin vetëm të “HEC Katund i Ri”, duke miratuar bonusin prej 8 pikësh.
 
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Ministria e Energjisë dhe Industrisë po vijon me hapat e mëtejshme procedurale të përcaktuara në ligj. Këto hapa përfshijnë hartimin e dokumentacionit standard të procedurës konkurruese (ToR), publikimin, vlerësimin e ofertave të mundshme dhe në rast të një procedure të suksesshme, negocimin e kontratës.
 
Me hapjen e garës, e cila do të jetë plotësisht transparente, çdo kompani e interesuar do të mund të konkurrojë për të fituar të drejtën e ndërtimit të kësaj vepre energjitike. Edhe kjo procedurë do të asistohet nga konsulenca ndërkombëtare e kontraktuar nga BERZH.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

NJË NGA NE/ Artizania fierake rikthen veshjen myzeqare: Duhet mbrojtur nga UNESCO

NJË NGA NE/ Artizania fierake rikthen veshjen myzeqare: Duhet mbrojtur nga UNESCO