Ministria e Arsimi i i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike se orët shtesë të mësuesve nuk po paguhen. Përmes llogaritjeve duke i bërë publike për të gjithë, ministria ka deklaruar se për muajin shtator janë paguar 14 mijë mësues për orët shtesë, shifër që shkon deri në 8500 lekë në muaj për mësues për orët shtesë.
Njoftimi i Ministrisë së Arsimit
Në lidhje me pagesën e orëve shtesë për mësuesit dhe pretendimin e ngritur nga opozita se mësuesit bëjnë në javë mbi 40 orë, por paguhen vetëm për 5-6 orë, MASR dëshiron të sqarojë opinionin publik se ky është keqinterpretim shifrash në përllogaritjen e kohës shtesë, pasi barazohen orët 45 minutëshe me ato 25 ose 30 minutëshe.
Theksojmë se për muajin Shtator janë rreth 14 mijë mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar që kanë përfituar pagesë për orët shtesë të kryera.
Sipas përllogaritjeve, pagesa ndaj një mësuesi nga orët shtesë shkon deri në 8,500 lekë në muaj. Sqarojmë gjithashtu se mësuesit punojnë në klasa që janë në gjysmën e kapacitetit, sipas përcaktimit në udhëzimin për numrin e nxënësve në klasë.
Më poshtë po sqarojmë të tre rastet-ilustrim të paraqitura nga opozita dhe orët shtesë që kryen mësuesi në secilin rast.
RASTI I PARË:
Minuta në kohë normale: 18×45'=810'
Minuta në situatë Covid-19: 36×30'=1,080'
Mësuesi kryen 270' shtesë ose 270'÷45'=6 orë shtesë.
TË PAGUARA!
RASTI I DYTË:
Minuta në kohë normale: 20×45'=900'
Minuta në situatë Covid-19: 40×30'=1,200'
Mësuesi kryen 300' shtesë ose 300'÷45'=7 orë shtesë.
TË PAGUARA!
RASTI I TRETË:
Minuta në kohë normale: 20×45'=900'
Minuta në situatë Covid-19: 40×25'=1,000'
Mësuesi kryen 100' shtesë ose 100'÷45'=2 orë shtesë (plus 5 orë për klasë kujdestari)
7 ORË TË PAGUARA!
Gjejmë rastin të falënderojmë të gjithë mësuesit për angazhimin e treguar në këtë situatë të pazakontë dhe i sigurojmë se mbështetja dhe mirënjohja e MASR për ta nuk do të mungojë kurrë!