TIRANE - Deklaratat e Pasurisë të Kryeministrit Berisha janë nën kontroll që prej muajit tetor. Ky është reagimi që vjen nga ILDKP pas akuzave të Partisë Socialiste mbi pasurinë e dy fëmijëve të Kryeministrit Berisha dhe të afërmve të tjerë të tij.

Sipas sqarimit të ILDKP, përveç Kryeministrit dhe ministrave po zhvillohet kontroll i plotë edhe mbi deklaratat e “personave të lidhur” me ta.

“Nisur nga interesi publik mbi kontrollin e interesave private të subjektit me funksion kryeministër, Sali Berisha dhe personave të lidhur me të, ILDKP bën me dije se ndaj subjektit janë zhvilluar disa procedura kontrolli të plotë, në përfundim të të cilëve kanë rezultuar pa probleme. Aktualisht, ILDKP po zhvillon procedurën e kontrollit të plotë për vetëdeklarimin e pasurisë për vitin 2010 dhe 2011 të subjektit me funksion kryeministër”, -sqarohet në njoftimin për mediat.

Njoftimi mbyllet duke ftuar këdo që ka informacione mbi pasuritë e zyrtarëve të kabinetit qeveritar, të ofrojnë të dhëna konkrete që do të ndihmojnë në zhvillimin e një hetimi më të plotë mbi pasuritë dhe burimin e krijimit të tyre.

(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)