Skënderi thotë se pretendimet e Bamit dhe Doshit janë një skenar i fëlliqur, ndërsa thotë se dyshon që ato të jenë të lidhura me atentatin ndaj tij në shtator.
“Dikujt i interesonte që Toni të vritej. I vdekuri nuk flet dhe merr me vete çfarëdo që t’i hedhësh dhe për këtë u zgjodh edhe videoja. Kanë menduar se Toni i vdekur nuk do fliste më”, thotë Skënderi.
Me sa dimë, ju ndodheni prej disa muajsh jashtë shtetit. A mund të na thoni arsyen e largimit tuaj, pasi prej disa ditësh këtu në Shqipëri emri juaj është bërë i njohur si Toni që është implikuar në një skenar ende të pasqaruar, por që ju rezultoni i akuzuar rëndë nga disa persona si i porositur për të kryer vrasje?
Po, unë jam Fatjon Skënderi, që shkurt më thërrasin Toni. Jam larguar nga Shqipëria nga fillimi i muajit shtator, pas një ngjarjeje të rëndë që ndodhi ndaj meje, por edhe për arsye shëndetësore familjare.
Banoj në Tiranë së bashku me gruan dhe dy fëmijët e mi, bëj një jetë shumë normale pasi jam njeri familjar, drejtoj një biznes, kam dy djem, njëri prej të cilëve ka mbaruar shkollën e lartë me rezultate të shkëlqyera dhe vazhdon masterin. Djali tjetër është i vogël. Është e vërtetë që ditët e fundit kam dëgjuar të thuhen mjaft absurditete dhe sajesa në adresën time, të transmetuara në një videoregjistrim nga një tv shqiptar.
A mund të na sqaroni hollësisht se çfarë lidhje keni ju me këto akuza dhe konkretisht me ato që ka bërë Durim Bami në një videoregjistrim të transmetuar në prani të Tom Doshit, e cila është dorëzuar në prokurori?
Asnjë lidhje nuk kam unë me këto akuza. Zotin Durim Bami unë e njoh prej disa vitesh, por jo se kam miqësi të vjetër dhe të veçantë me të. Takoheshim rrallë, por pa angazhime reciproke sepse nuk hynte në rrethin tim të ngushtë shoqëror. Për herë të fundit jam takuar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi ndaj meje në fillim të muajit shtator.
Përse e keni fjalën kur thoni ngjarje e rëndë ndaj meje?
Siç thashë edhe më sipër, më datë 1 shtator 2014, rreth orës 10 të mbrëmjes, unë kisha marrë drejtimin për në shtëpi në afërsi të rrethrrotullimit të “Casa Italia”-s, u godita me një breshëri plumbash, por për fatin tim, unë nuk u preka, ndërsa automjeti u dëmtua rëndë. U njoftuan organet e policisë dhe prokurorisë, u bënë disa këqyrje dhe hetime; unë kam bërë deklarimet e mia, por deri më sot kur kanë kaluar rreth 6 muaj nga ngjarja, ende nuk ka një autor të këtij atentati ndaj meje. Unë shpresoj akoma në zbardhjen e kësaj ngjarjeje nga policia.
Me videoregjistrimin e transmetuar, në sfondin e së cilës duken Durim Bami nga njëra anë dhe nga ana tjetër z. Tom Doshi që e pyet, jam njohur ditën që u transmetua në Tv Klan. Jam çuditur dhe jam shokuar për përfshirjen e personit tim aty, si dhe për mënyrën e formulimit të asaj bisede, e cila nuk mund të jetë gjë tjetër përveçse një intrigë të cilën unë e hedh poshtë me neveri.
Kam marrë vesh nga media se z. Bami, pas arrestimit të tij ka ndryshuar deklarimet e tij në prokurori, të cilat janë të kundërta me ato të videoregjistrimit të z. Doshi. Natyrisht, s’kishte si të ishte tjetër në lidhje me personin tim, por përsëri nuk më lë të qetë dilema që, pse u zgjodha unë në të gjithë këtë histori? Kush ishte ai i interesuar ta thurte këtë skenar dhe për çfarë interesash? Gjithsesi, ato le t’i nxjerrë drejtësia që ka marrë në dorë çështjen.
Si mendoni, cila është arsyeja e këtyre akuzave të z. Bami ndaj jush?
Unë prapë përsëris që jam i shokuar, por ndoshta joshja për para, presioni apo ku di unë nga z. Doshi, e kanë detyruar atë të shpifte në mënyrë monstruoze ndaj meje dhe ndaj personave të tjerë. Unë në asnjë rast nuk kam biseduar apo bërë pazare lekësh të çdo lloj natyre qofshin me z. Bami dhe të tjerë, ndaj pres të ballafaqohem sa më parë me z. Bami, z. Doshi e të tjerë persona.
Mesa shikohet në video, ai përfshin dhe implikon në këtë ngjarje z. Agim Rama, z. Kuliçaj, Prokurorin e Përgjithshëm, prokurorin Eugen Beci, Ymer Lalën e deri tek z. Ilir Meta.
A keni njohje ju me këta persona?
Me z. Agim Rama kam pak njohje, pasi ortaku im, Ylli e ka mik. Z. Agron Kuliçaj nuk e kam takuar asnjëherë, me Prokurorin e Përgjithshëm gjithashtu nuk kam patur asnjëherë kontakte, ndërsa prokurorin Eugen Beci e njoh po nëpërmjet ortakut tim Yllit, me të cilin ai kishte marrëdhënie shoqërie. Z. Ymer Lala e kam shok. Me z. Ilir Meta herën e fundit jam takuar para 10 vjetësh, në vitin 2005 në Kombinat, në periudhën e fushatës elektorale, ku në një takim unë vetëm sa i kam dhënë dorën.
Po me z. Tom Doshi, ku jeni njohur dhe çfarë marrëdhëniesh keni patur me të?
Me deputetin Tom Doshi jam njohur nëpërmjet nipit të tij, para shumë vitesh. Mund të jem takuar mbase dy herë gjatë kësaj periudhe. Ndërsa me nipat e tij vazhdoj të kem miqësi edhe tani që flasim. Kur pashë videoregjistrimin u shqetësova dhe mora në telefon nipin e Tomës. Ai m’u përgjigj se janë disa thashetheme, por hajde të sqarohemi. I dërgova fjalë Tom Doshit duke i thënë se dua ta takoj burrërisht, por Toma pas disa ditësh më çoi fjalë e më tha mos u kthe, se nuk i zë besë ministrit Tahiri dhe policia do të ndalojë.
Thuhet nga z. Durim në videoregjistrimin se në servisin tuaj në Tiranë është bërë përgatitja e një mekanizmi shpërthyes, i cili i montuar në një motoçikletë, është vendosur në afërsi të automjetit të z. Tom Doshi?
Këto janë broçkulla, të cilat me sa di unë, edhe pas verifikimeve që ka bërë policia janë vlerësuar të paqena.
A jeni thirrur ndonjëherë nga policia për të dhënë shpjegime?
Jam thirrur 2 herë për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes që lidhej me atentatin ndaj meje.
Ju përmendeni njëkohësisht nga Durim Bami dhe Tom Doshi, që do të ishit vrasësi i porositur i deputetit Mhill Fufi…
Këtë gjë e kam dëgjuar nga goja e deputetit Doshi në televizion. Mendja më shkon se, ndonëse është në një vazhdë trillimesh e shpifjesh, kjo mund të jetë bërë me paramendim politik për të ngarkuar z. Ilir Meta./Mapo/
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)
A jeni ju i gatshëm të vini në Tiranë e të ballafaqoheni me këto akuza të bëra ndaj jush në organet e drejtësisë?
Po. Menjëherë jam i gatshëm të vij. Sapo të njoftohem. Unë kam detyrim ligjor të sqaroj përpara organeve të drejtësisë këto akuza. Por kam edhe detyrim moral ndaj vetes sime, të afërmve të mi dhe miqve të mi. Unë i kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm dhe ministrit Tahiri, të më thërrasin dhe njoftojnë zyrtarisht të paraqitem para organeve të drejtësisë. Unë dhe familja ime duam që të çlirohemi nga ky makth.
Por me besimin se do të zbardhet gjithçka dhe shumë shpejt, unë akoma pyes veten: Përse më përfshinë në këtë skenar të fëlliqur? Duke menduar tani e lidh këtë skenar të fëlliqur edhe me ngjarjen ndaj meje më 1 shtator. Dikujt i interesonte që Toni të vritej. I vdekuri nuk flet dhe merr me vete çfarëdo që t’i hedhësh dhe për këtë u zgjodh edhe videoja. Kanë menduar se Toni i vdekur nuk do fliste më. Por Toni nuk ndjen asnjë faj, ndoshta rastësisht, i vetmi faj i imi është se kam një lokal në afërsi të shtëpisë së Ilir Metës. Por pse më zgjodhe mua Tom Doshi? Pse mua?
/Marrë nga Mapo/
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)