Deputetja e PL Monika Kryemadhi ka reaguar sërish lidhur me arrestimin e kreut të PL Ilir Meta.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shkruan se në deklaratën e SPAK ka konstatuar shkelje të detyrimeve ligjore në funksion të ruajtjes së sekretit hetimor.
Sipas saj, po ofrohen të pavërteta për të dhe familjen e saj.
Postimi i plotë:
Sapo u njoha me deklaratën e SPAK për mediat dhe konstatoj me keqardhje mungesën e profesionalizmit dhe shkeljet e detyrimit ligjor që keni në funksion të ruajtjes së sekretit hetimor.
Këtë detyrim iu a imponon neni 279 i Kodit të Procedurës Penale. Këtë nen ka përdorur SPAK-u edhe për t’i mbyllur gojën gazetarëve kur kanë pasur material për të folur mbi korrupsionin apo krimet e qeverisë së Edi Ramës.
Në këtë deklaratë, ndër të tjera bëhet me dije nga prokuroria e posaçme se kjo çështje është ende nën hetim, ndërkohë që prokuroria vetë ofron për publikun si ushqim të dhëna të pavërteta për mua dhe familjen time, për të cilat, unë gjatë hetimit kam arritur të vërtetoj të kundërtën nëpërmjet provave shkresore dhe aktit të ekspertimit kontabël të çertifikuar, që kam depozituar pranë SPAK prej kohësh.
Çuditërisht, në 167 faqe vendim, me të cilin është disponuar caktimi i masës së sigurimit personal, nuk pasqyrohet në asnjë rresht, asnjë e dhënë lidhur me provat që unë kam depozituar në mbështetje të pretendimeve të mia, të cilat rrëzojnë aludimet e SPAK.
Ju sot ligjërisht më keni komunikuar faktin se ndaj meje në cilësinë e personit nën hetim të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale është caktuar një masë sigure, ndërkohë që edhe pse kam ende cilësinë e personit nën hetim, ju, xhelatët e bindur të Edi Ramës politikisht shpreheni se unë dhe familja ime akuzohemi, ndërkohë që këtë gjë në fazë të hetimit, nuk mund ta bëni as ligjërisht, as publikisht.
Deklarata e sotme e SPAK duket e shkruar në zyrën e Propagandës të Edi Ramës.
Pasi, për familjen time SPAK shkel çdo të drejtë të njeriut të mbrojtur nga Konventat Europiane dhe Kushtetuta, për një proces të rregullt ligjor, kurse për mafiozët në karriget e qeverisë dhe bashkëpunëtorët e tyre përulen dhe nuk shohin krimet e përditshme në kurriz të shqiptarëve.
Intimidimi i SPAK në bashkëpunim me Edi Ramën, ndaj gjyqësorit shqiptar, duke manipuluar opinionin publik përmes nxjerrjes së sekretit hetimor dhe duke paraqitur si fakte disa akuza të rreme dhe të pabaza, do të marrë përgjigjen e merituar në çdo shkallë të gjyqësorit brenda dhe jashtë vendit.
SPAK mund të bëjë akuzën, por kurrësesi gjyqin! Kjo i takon vetëm gjykatës dhe përballja e gënjeshtrave me motivacion politik, me të vërtetat do të jetë kudo dhe ndaj kujtdo, me të njëjtën monedhë.
Lajmi kryesor: