TIRANE- Ministria e Mbrojtjes ka dërguar të hënën në Prokurori dy padi të tjera për veprimtarinë e Forcave të Armatosura. Këto padi janë në ngarkim të ish-ministrit Arben Imami, ish-shefit të Shtabit të Përgjitshëm Xhemal Gjunkshi, ish-shefit të Shërbimit Informativ të Ushtrisë Ylli Zyla, por  edhe për disa drejtues të tjerë të këtij institucioni.

Pas këtyre dy padive numri i përgjithshëm i padive nga Ministria e Mbrojtjes, që kur ky institucion drejtohet nga Mimi Kodheli, ndaj ish-ministrit Arben Imami shkon në pesë gjithsej. “Ministria e Mbrojtjes sot dorëzoi në Prokurori dy dosje që lidhen me përdorimin e Forcave të Armatosura në kundërshtim të hapur me misionin e tyre kushtetues, si dhe në shkelje të ligjit 8671 ‘Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të FA të RSH’ si dhe ligjit 7978 ‘Për Forcat e Armatosura të RSH’”, bëhet e ditur në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Ministria e Mbrojtjes për akuzat e reja nga ish-krerëve të këtij dikasteri.

Por, nëse akuzat e mëparshme kanë qenë të një karakteri pak a shumë në rrjedhën “logjike” të politikës shqiptare, ku bëhej fjalë për shpërdorim fondesh dhe për përdorimin politikisht të Forcave të Armatosura, dy akuzat e fundit janë sa të rënda aq edhe qesharake për mënyrën si kanë vepruar ish-ministri Imami e krerët e ushtrisë. Burime të mirinformuara të “Shqiptarja.com” kanë bërë me dije se dy janë pikat kyçe të akuzës: 1. Përdorimi i trupave të Forcave Speciale për të kërkuar një thesar në zonën e Mokrës në Pogradec! 2.

Përdorimi i trupave të Forcave Speciale si trupëroja gjatë zhvillimit të Kampionatit Evropian të Peshëngritjes në Tiranë. Pra akuzat ndaj ish-ministrit Imami variojnë nga përdorimi i strukturave ushtarake për qëllime politike, tek shpërdorime të fondeve të përdorura nëpërmjet reklamave për të financuar mediat pranë PD dhe deri tek dërgimi trupave elitare të ushtrisë për të gërmuar për qypa me florinj!

Shkrimi u publikua sot (16.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com