TIRANE - Partia Socialiste është e vendosur për të mos heshtur për asnjë çast ndaj korrupsionit qeveritar, pavarësisht presionit të vazhdueshëm të pushtetit kriminal. Ky është reagimi i deputetit të PS, Sajmir Tahiri në lidhje me vendimin që ka marrë sot Gjykata e Apelit, e cila la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e deputetit socialist, i paditur për shpifje ndaj deputetes demokrate, Albana Vokshi.

Në reagimin e tij deputeti Tahiri shprehet se “Partia Socialiste e konsideron këtë vendim si një përpjekje absurde dhe krejtësisht të kotë, për të trembur opozitën dhe deputetët e saj, një përpjekje për të frenuar denoncimet e vazhdueshme të korrupsionit dhe abuzimin me pushtetin, që e kanë përmbytur këtë vend.”

Megjithatë, -vazhdon Tahiri deklaratën e tij “ky vendim i padrejtë nuk do të ndikojë aspak në vendosmërinë e Partisë Socialiste dhe deputetëve të saj për të ngritur edhe më fort zërin në mbrojtje të pasurisë së shqiptarëve që po trajtohet si mall pa zot nga familjarët dhe klientët e oborrit kryeministror.”

Deputeti socialist akuzoi deputeten Albana Vokshi për afera korruptive të koncesioneve të naftës. Gjykata e Tiranës e shpalli atë fajtor për shpifje duke e dënuar atë me një gjobë prej 1 milionë lekësh.

(Gre.M/Shqiptarja.com)