TIRANE - Për herë të parë Partia Demokratike ka reaguar pas qëndrimeve të mbajtur nga opozita lidhur me pasurinë e fëmijëve të kryeministrit Berisha.

Në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, zëdhënësja e kësaj partie, Silvi Bardhi, i cilësoi shpifje të gjitha deklaratat e bëra publike prej disa ditësh radhazi nga deputeti socialist Taulant Balla.

“Me këtë fushatë shpifjesh dhe trillimesh z.Rama, beson se do të mund të maskojë përpara shqiptarëve qëndrimin e tij primitiv e hakmarrës në emër të etërve të tij të bllokimit të votimit të 3 ligjeve në Parlament, të kërkuara nga Komisioni Evropian, Këshilli i Ministrave i BE-së, Parlamenti Evropian, por edhe nga miqtë tanë në Washington për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, -u shpreh Bardhi.

Duke theksuar se pasuria e fëmijëve të Kryeministrit është e deklaruar, ajo iu kundërpërgjigj akuzave të ardhura nga selia rozë duke thënë se është Rama ai i cili po fsheh pasurinë e tij.

“Njeriu që nga frika dhe tmerri fsheh pasuritë e që prej 5 muajsh fle tek Dash Peza dhe 7 muaj tek halla apo te tezja, se deklarohet i pastrehë pasi ka ndërtuar qyteza me mbi 54 pallate, akuzon familjarët e Kryeministrit për të ardhurat e tyre, të deklaruara në çdo qindarkë të tyre në institucionet e vendit.

Z. Rama në betejën qesharake të maskimit të vendimit të tij antikombëtar dhe antishqiptar të bllokimit të statusit të vendit kandidat për llogari të atyre që nuk duan kurrë integrimin e Shqipërisë në Evropë, ka angazhuar me shtrëngim zëdhënës të akuzuar për trafiqe droge, prostitucioni dhe larje parash të pista të cilët i fshihen si minj organeve të drejtësisë që i kanë nën gjykim për shpifje dhe vepra të tjera penale”, -tha më tej zëdhënësja e Partisë Demokratike.

Në përfundim të deklaratës, Bardhi shtoi: “Partia Demokratike garanton zotin Rama se ai mund të gënjejë vetveten, se ka fshehur pasuritë e qytezave të ndërtuara me Fidelët e tij, apo se është i pastrehë, por kurrë nuk do të mund të gënjejë shqiptarët për bllokimin që po i bën statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Partia Demokratike do të hedhë dritë mbi të gjitha shumat marramendëse, për gjobat 20%-she për të cilat është akuzuar haptas nga ndërtues dhe biznesmenë të Tiranës, si dhe vjedhjet e tjera të anturazhit të tij.”

Vetëm dy ditë më parë fëmijët e Kryeministrit Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha reaguan lidhur me këto akuza duke deklaruar se pasuria e tyre është e ligjshme ndërsa theksuan se do ta çonin çështjen në gjykatë.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)