Akuzat e opozitës në adresë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri se është i përfshirë në trafikun e drogës Shqipëri-Itali dhe përmendja e emrit të tij në bisedat e dy trafikantëve, kanë bërë që Taulant Balla të thërrasë një mbledhje urgjente të grupit parlamentar socialist.

Takimi i zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit mësohet se ka pasur në fokus koordinimin e qëndrimeve të deputetëve socialistë pas furtunës së akuzave ndaj Tahirit. Balla i mblodhi të gjithë deputetët socialistë që ndodheshin në Kryesinë e Kuvendit, kryesisht ata që janë anëtarë të komisionit të ligjeve për t'u dhënë instruksionet e menaxhimit të situatës. I pyetur nga deputetët e komisionit të ligjeve se çfarë qëndrimi do të mbante, Balla mësohet t’ju ketë thënë “Ju jeni juristë. Mbani qasje juridike ndaj çështjes. Ne nuk pozicionohemi e nuk mbajmë anë”.

Vetë Saimir Tahiri nuk u duk sot në ambientet e Kuvendit, edhe pse është anëtar i Komisionit të Ligjeve dhe ky komision kishte mbledhje. Emri i ish-ministrit të Brendshëm përmendet në përgjimet e dy trafikantëve nga Vlora, mes të cilëve edhe Moisi Habilaj, i identifikuar si i afërt me Tahirin. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com