Akuzat PS-LSI për hipotekat
Ministria e Drejtësisë nis hetimin

Akuzat PS-LSI për hipotekat<br />Ministria e Drejtësisë nis hetimin
Pas debatit në distancë mbi hipotekat, mes kryeministrit Rama dhe Luan Ramës ka reaguar Ministria e Drejtësisë që drejtohet nga Gazmend Bardhi.
 
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat njofton se ky institucion ka nisur hetimin mbi këtë çështje ndërsa siguron banorët e Bashkisë Vorë se nëse konstatohen shkelje do të merren masa të menjëhershme.

Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar kryerjen e një hetimi administrativ dhe siguron qytetarët se kërkesat e tyre për pajisjen me certifikatë pronësie do të trajtohen sipas ligjit.
 
Gazmend Bardhi gjithashtu u bën thirrje subjekteve politike të ndalin përdorimin e çështjeve që përfshihen brenda fushës së veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë , për qëllime politike apo elektorale.

"Ministri i Drejtësisë z. Gazmend Bardhi, është njohur sot me deklarimin publik të Kryetarit të Partisë Socialiste z. Edi Rama, dhe Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Luan Rama, sipas të cilëve për motive politike apo shkaqe të tjera të paligjshme, po pengohen qytetarët të pajisjen me certifikata pronësie, pavarësisht se janë pajisur më parë me certifikatën e legalizimit të pasurisë së tyre.
 
Ministri i Drejtësisë mori kontakt të menjëhershëm me strukturat përgjegjëse në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajshme Tiranë mbi këtë çështje. Pavarësisht informacioneve pararake, Ministri i Drejtësisë, për të bërë transparencë të plotë mbi këtë çështje, ka urdhëruar kryerjen e një hetimi të plotë administrativ mbi këtë problematikë.
 
Ministria e Drejtësisë siguron të gjithë banorët e Bashkisë Vorë, se nëse konstatohet shkelje nga punonjësit e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajshme, do të marren masa të menjëhershme disiplinore për secilin prej tyre. Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë siguron qytetarët që kërkesat e tyre për pajisje me certifikatë pronësie do të trajtohen në përputhje me ligjin, brenda afateve të caktuar nga ligji.
 
Ministri Bardhi i bën thirrje çdo subjekti politik të ndal përdorimin e çështjeve që përfshihen brenda fushës së veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë, për qëllime politike apo elektorale. Çdo subjekt politik që ka informacion për pengime artificiale që i bëhen qytetarëve për qëllime politike apo shkaqe të paligjshme, të informojë menjëherë Ministrinë e Drejtësisë, duke garantuar veprimin tonë të menjëhershëm për respektimin e ligjit.
 
Z. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo tentativë përdorim të paligjshëm që i bëhet veprimtarisë institucionale të Ministrisë së Drejtësisë, nga subjekte zgjedhore",
thuhet në deklaratë.

Hipoteka, Rama përplaset me LSI: Mban peng legalizimet
Rama tha sot në Vorë se Qeveria ka legalizuar falas objektet pa leje të qytetarëve, por ata nuk e regjistrojnë dot pronën pasi Hipoteka, e drejtuar nga një parti tjetër i mban peng. 
 
Akuzat për hipotekat, LSI: Në 80% të qarqeve kontrollohen nga Rama

E menjëhershme ishte përgjigja e LSI, ku Luan Rama bëri përgjegjëse PS për bllokimin e hipotekave të pronësisë për objektet e legalizuara nga ALUIZNI.
 
Ai tha se 80% e hipotekave në qarqe kontrollohen nga njerëzit e emëruar prej Ramës

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset