Ministrja paralajmëroi se do të nxjerrim konkluzionet e nevojshme dhe përgjegjësitë e rastit pas vëzhgimit të hapësirës detare. “Ministria e Mbrojtjes ka nisur një kontroll të imtësishëm nëpër të gjitha ish-pronat të cilat ka nën administrim.
Çdo repart e komandë është ngarkuar që me të gjitha burimet njerëzore në dispozicion, të evidentojë saktësisht statusin aktual pikërisht të atyre pronave që aktualisht nuk janë vend-dislokime ushtarake. Ky kontroll po ndërmerret edhe një herë në zbatim të Vendimit 248 të Këshillit të Ministrave datë 29 Mars 2017, për parandalimin e mundësive për ushtrim aktivitetesh të paligjshme nëpër këto prona.
Ky kontroll zhvillohet gjatë kësaj jave dhe do të përfshijë përmes një plani të saktë çdo pronë ish-ushtarake kudo që të jetë ajo. Vëmendja e qeverisë është maksimale dhe çdo veprimtari e jashtëligjshme do të marrë përgjigjen ligjore.
Do të përmirësojmë ndjeshëm çdo njësi e tregues për t’i shërbyer qytetarëve të këtij vendi. Si qeveri e qytetarëve, duhet të ngremë në maksimum vëmendjen dhe kontrollin ndaj çdo fenomeni apo situate. Përmes kësaj rritje në buxhet kemi siguruar fondet e nevojshme për blerjen e sistemit radar ajror, investimi i parë për ruajtjen e qiejve shqiptarë në demokraci.
Së bashku me Ministrin e Brendshëm, kolegun Fatmir Xhafa kemi ngritur një grup të përbashkët inspektimi për të inspektuar në detaje situatën aktuale me vëzhgimin e hapësirës detare. Do të nxjerrim konkluzionet e nevojshme dhe përgjegjësitë e rastit”, tha ndër të tjera Ministrja Xhaçka.
Iniciativa për vëzhgimin e hapësirës detare vjen pas akuzave të opozitës se nuk funsionojnë ose janë fikur radarët për të favorizuar trafikun e drogës. Baza Ajrore e Farkës mban peshën kryesore të operacioneve të kërkim – shpëtimit dhe të situatave të emergjencës në vendin tonë.
Gjatë vizitës në këtë bazë, Ministrja Xhaçka ndoqi një ditë pune të ekipeve të pilotëve e teknikëve, duke u njohur me problematikat por edhe sfidat për të ardhmen, ku objektivi kryesor është kontributi me kapacitet në ndihmë të komunitetit dhe në operacionet e NATO-s.
dy.b/shqiptarja.com