Tre oficerë policie u arrestuan në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për Shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh e korrupsion pasiv. Në Vlorë u arrestua Eldo Shyti e Granit Nuraj, ndërsa në Fier Klisman Çela.

AMP bëri me dije se ishin dy holandezë ata që kallëzuan dy efektivët e Vlorës, Shyti e Nuraj, me detyrë trupa Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në policinë e Vlorës.

Sipas dëshmisë, rreth orës 18.30 të së premtes, 15 shtator, ata janë ndaluar në qytetin e Vlorës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

“Oficerët e policisë, duke shpërdoruar detyrën, si dhe duke falsifikuar dy procesverbale të shkeljes administrative, dyshohet se kanë përfituar 30.000 lekë me me pretekstin se do të kryenin pagesën e gjobës dhe i kanë favorizuar duke mos u pezulluar lejen e Drejtimit”, thotë AMP.

Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në rajonin Fier-Berat ka ndaluar oficerin Klisman Çela pasi dyshohet se ka kryer veprime korruptive me drejtues automjetesh duke mos i ndëshkuar ata me masë administrative.

Pas këtyre arrestimeve reagoi ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili garanton se largimi i punonjësve të inkriminuar nga radhët blu, nuk do të ndalet.

Balla paralajmëroi se punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare apo dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm do të vijojnë të përballen, pa dallim dhe zero kompromis me ashpërsinë e ligjit.


Lajmi kryesor:

Shkarkohet shefi i komisariarit në Delvinë! Arrestohen 3 policë në Vlorë e Fier! Pezullohet drejtori i stacionit Velipojë dhe 3 efektivë, 'nuk panë' drogën